Protestat e dhunshme në Milano, 1 milion euro dëme në biznese dhe dhjetëra të arrestuar

Qyteti i Milanos po përpiqet të rikthehet në normalitet pas dy ditësh trazirash, grabitjesh dhe përplasjesh të dhunshme në qendër të qytetit. Vitrina të thyera, dyqane të plaçkitura, monopatina dhe kosha mbeturinash të hedhur në rrugë janë pamjet që kanë mbetur pas dhunës që përfshiu zonën e “Piazza Duomo”-s dhe rrugët përreth. Ndërkohë, autoritetet janë në alarm pas një thirrjeje të re që po qarkullon në rrjetet sociale për një grumbullim në orën 15:00.
Sipas raportimit të medias italiane TGcom24, dëmet në bizneset e qendrës kanë arritur rreth një milion euro, sipas vlerësimit të Confcommercio Milano. Bilanci i trazirave të së dielës, më 18 tetor, përfshin 271 persona të shoqëruar në polici, 32 të arrestuar dhe 28 të denoncuar. Mes të arrestuarve, 23 janë të mitur, ndërsa 14 punonjës të forcave të rendit raportohet se kanë mbetur të plagosur.
Thirrje e re në rrjetet sociale: “Në orën 15:00 duhet të dëgjohet zëri ynë”
Pas përplasjeve të së shtunës, më 17 tetor, gjatë protestës kundër rritjes së kostos së jetesës dhe qeverisë, të dielën grupe të tjera të rinjsh u mblodhën në qendër të Milanos, ku situata përfundoi në atë që mediat italiane e përshkruajnë si një skenë të vërtetë dhune urbane.
Tani, në telefonat e të rinjve po shpërndahet një tjetër thirrje për t’u mbledhur në Piazza Duomo në orën 15:00.
“Duhet ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet”, thuhet në mesazhin që po qarkullon në Telegram dhe në rrjete të tjera sociale. Në të njëjtën thirrje, një prej mesazheve u kërkon pjesëmarrësve të mos përfshijnë në dhunë punonjësit, të moshuarit dhe gratë, duke shkruar: “Të tregojmë se kemi vlera dhe se duam ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet”.
Ndërkohë, është shfaqur edhe grupimi i quajtur “Movimento del 17 ottobre” (Lëvizja e 17 Tetorit), i cili ka njoftuar mobilizime të tjera.
Prokuroria kërkon burg për 11 të rinj madhorë
Prokuroria e Milanos ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 11 të rinj madhorë të arrestuar pas trazirave të fundjavës. Pesë prej tyre u arrestuan për ngjarjet e së shtunës, ndërsa gjashtë të tjerë për përplasjet dhe grabitjet e së dielës.
Të dyshuarit përballen me akuza për shkatërrim dhe plaçkitje, vepër që sipas nenit 419 të Kodit Penal italian dënohet deri në 15 vjet burg, si dhe për rezistencë ndaj autoriteteve në rrethana rënduese.
Përveç tyre, në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe të mitur. Sipas raportimit, 11 të mitur të arrestuar pas ngjarjeve të së shtunës pritet të merren në pyetje në institutin e të miturve Beccaria, ndërsa prokuroria për të miturit po përgatit kërkesat për vleftësimin e arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurisë.
Numri i përgjithshëm i arrestimeve të raportuara në dy ditët e trazirave ka arritur në 34, përfshirë 23 të miturit e ndaluar të dielën dhe 11 të arrestuarit e së shtunës. Hetimet vijojnë dhe bilanci mund të ndryshojë.
Salvini: Dikush kërkonte një të vdekur
Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini ka dënuar dhunën e fundjavës, duke deklaruar se, sipas tij, disa persona synonin që situata të përfundonte me një viktimë.
“Dikush kërkonte një të vdekur, për fat të mirë kjo nuk ndodhi”, u shpreh Salvini, duke iu referuar grabitjeve dhe shkatërrimeve në disa qytete italiane.
Ai kërkoi gjithashtu që Piazza Duomo të mos vihet më në dispozicion për manifestime të tilla dhe propozoi që sheshi të izolohet për të parandaluar përsëritjen e skenave të dhunës.
“Piazza Duomo nuk duhet të jepet më. Ta blindojmë Piazza Duomo-n, sepse edhe simbolet kanë rëndësi”, deklaroi ai.
Dëmet arrijnë një milion euro, tregtarët flasin edhe për anulime
Sipas Confcommercio Milano, dëmet e shkaktuara në dyqanet e qendrës kanë arritur rreth një milion euro, nga rreth gjysmë milioni që ishte vlerësimi fillestar.
Por shqetësimi i tregtarëve nuk lidhet vetëm me kostot e riparimeve dhe mallrat e grabitura. Marco Barbieri, sekretar i përgjithshëm i Confcommercio Milano, ka paralajmëruar edhe për humbjet nga mbyllja e përkohshme e bizneseve dhe anulimet e rezervimeve në restorante e hotele.
Sipas tij, disa klientë të huaj kanë anuluar rezervimet nga frika e situatës së krijuar. Kësaj i shtohet edhe dëmi i imazhit të qytetit, pamjet e të cilit kanë bërë xhiron e mediave.
Edhe organizata Confimprenditori ka reaguar përmes një deklarate, duke vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga episode të ndryshme dhune gjatë 12 muajve të fundit në Itali arrijnë rreth dy milionë euro, pa përfshirë kostot e sigurisë dhe të ardhurat e humbura nga bizneset.
“E drejta për të protestuar është e shenjtë, por nuk mund të shndërrohet në pretekst që një pakicë e dhunshme të mbajë peng qytete të tëra”, deklaroi presidenti i organizatës, Stefano Ruvolo, duke kërkuar që përgjegjësit të dëmshpërblejnë bizneset e prekura.
Autoritetet: Duhet të kuptohen të rinjtë, por edhe të mbajnë përgjegjësi
Marina Terragni, nga autoriteti italiane për garantimin e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve, ka kërkuar që të analizohen shkaqet që çuan në përshkallëzimin e dhunës, pa përjashtuar përgjegjësinë individuale të të përfshirëve.
Ajo vuri në dukje rolin e rrjeteve sociale në organizimin e grumbullimeve dhe rrezikun që këto platforma të përdoren për të nxitur sjellje të dhunshme.
Terragni bëri dallimin mes protestës së së shtunës dhe ngjarjeve të së dielës, duke argumentuar se në ditën e dytë nuk kishte kërkesa të qarta politike apo pretendime për të drejta, por kryesisht thyerje vitrinash dhe grabitje dyqanesh. Ajo theksoi gjithashtu moshën e ulët të disa prej pjesëmarrësve, mes të cilëve, sipas saj, kishte edhe fëmijë vetëm 11 vjeç.
“Rrjetet sociale dhe sistemet e mesazheve janë gjithashtu mjete për organizimin e këtyre grumbullimeve, me rrezikun e manipulimit nga palë të treta të interesuara për të krijuar kaos dhe për ta menaxhuar atë politikisht”, u shpreh Terragni.
Ajo kërkoi që të rinjtë e përfshirë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të dëmshpërblejnë dëmet, kur është e nevojshme edhe përmes punës në shërbim të komunitetit.
Protestuesit kundër kostos së jetesës distancohen nga dhuna
Një prej zëdhënësve të grupimit “Italia in piazza”, i cili organizoi protestat e 17 tetorit kundër rritjes së kostos së jetesës, ka mohuar çdo lidhje me personat që u përfshinë në trazirat e Milanos dhe Torinos.
“Ne nuk kemi asnjë lidhje me të dhunshmit”, deklaroi Francesco Barbara, duke theksuar se manifestimi i tyre ishte koordinuar me autoritetet dhe se dhuna që pasoi nuk ishte pjesë e planit të tyre.
Ai tha se organizatorët po përpiqen të krijojnë një strukturë më të qartë për të vijuar protestat, duke u distancuar edhe nga grupime të tjera që përdorin emra të ngjashëm me kauzën e tyre.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, vizitoi bizneset e dëmtuara, ku shprehu solidaritetin me tregtarët dhe punonjësit. Ai paralajmëroi se tensionet mund të mos kenë përfunduar, por u bëri thirrje politikanëve të mos e shfrytëzojnë situatën për përfitime elektorale.
Pas rreth një ore e gjysmë përfundoi edhe mbledhja në Palazzo Chigi, e thirrur nga kryeministrja Giorgia Meloni për të diskutuar situatën e rendit publik. Në takim morën pjesë ministrat përkatës, drejtuesit e forcave të rendit dhe përfaqësues të inteligjencës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





