Protestat e dhunshme në Shkup, Kovacevksi: 27 prill nuk do të përsëritet më

Maqedonia e Veriut | 4 vite më parë

“Ajo që ndodhi mbrëmë para Kuvendit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës Evropiane të Maqedonisë së Veriut, vend anëtar i NATO-s”. Kështu ka shkruar kryeministri maqedoans Dimitar Kovaceski mëngjesin e kësaj të mërkure në faqen e tij në facebook, në lidhje me aktet e dhunës që u shënuan  në ditën e katërt të protesave të mbajtura në kryeqytetin shkup me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes rreth të shkuarës dhe çështjes së identitetit maqedonas dhe të hapet rruga e anëtarësimit europian të vendit.

Ndërsa dënoi dhunën dhe sulmet ndaj forcave të rendit kryeministri kovacevksi, u bëri thirrje organizatorëve të protestave të mos manipulojnë dhe abuzojnë me të rinjtë për të kënaqur orekset e tyre politike, sic u shpreh ai. ” 27 Prilli nuk do të përsëritet më!”, theksoi  Kovaçevski, duke iu referuar trazirave të 27 prillit 2017, ku mbështetës të VMRO-DPMNE sulmuan godinën e organit legjislativ të vendit dhe dhunuan deputetë të LSDM-së dhe kreun e tyre, Zoran Zaev, duke kundërshtuar zgjedhjen e kryeparlamentarit të parë shqiptar, Talat Xhaferi si dhe duke kërkuar të pengonin formimin e qeverisë së re.

Policia ndërkohë ka bërë të ditur se 47 forca të saj janë lënduar gjatë protestës të së martës që filloi para godinës së qeverisë, vijoi para ministrisë së punëve të jashtme dhe përfundoi rreth orës 22:30 para kuvendit. Në të tre godinat shtetëore ka patur dëme materiale.  Protestuesit i kanë bërë thirrje Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që “të mësojë historinë maqedonase”. Në pankartat e tyre  emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.  Protestuesit kërkojnë refuzimin e propozimit francez, që sipas tyre ndërmerr “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk njeh as gjuhën dhe as historinë maqedonase. Ata gjithashtu kërkojnë edhe  dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrit të jashtëm. 

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme