Protestat e dhunshme, Rama: Dhuna, skenar i orkestruar nga brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar Shqipërinë

Politikë | 43 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën e krijuar gjatë protestave, duke i cilësuar aktet e dhunës si të orkestruara nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, me synimin për të destabilizuar Shqipërinë dhe vende të tjera të Evropës.

Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi se përshkallëzimi i dhunës, me përdorimin e gurëve dhe zjarrit, përbën një fenomen që, sipas tij, lidhet me zhvillimet edhe në vende të tjera evropiane.

Ai përmendi lëvizjen Antifa dhe grupe të radikalizuara të rinisë si disa prej komponentëve që, sipas tij, kontribuojnë në këtë situatë. Rama foli gjithashtu për përfshirjen e elementëve kriminalë nga lagjet dhe periferitë, duke pretenduar se ata mbështeten nga krimi i organizuar dhe subjekte të tjera politike.

Rama theksoi se protestuesit që shprehin pakënaqësitë dhe kërkojnë ndryshim nuk duhen barazuar me personat që përfshihen në akte dhune.

“Përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë dhe gurë gjithë Shqipërinë, natyrisht që për ne nuk ka asnjë ndryshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, e lidhur me atë që ndodh në vende të tjera të Evropës përmes një lëvizjeje anarkiste, neokomuniste, që quhet Antifa, dhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë.

Por ky është vetëm një nga komponentët e dhunës: vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që bëjnë thirrje, si në kohën e Mesjetës apo pasluftës, për të burgosur këdo që, sipas tyre, përfaqëson të keqen. Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit të vogël, i lagjeve dhe periferive, që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar dhe subjekteve të tjera politike. Të gjitha këto së bashku kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, që prodhohet dita-ditës nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar vendet fqinje dhe Evropën në tërësi.

Këta elementë, të bashkuar në një front të vetëm, nuk janë studentët, nuk janë pjesë e shoqërisë që ka të gjitha arsyet e veta për të protestuar, për të shprehur pakënaqësitë dhe për të kërkuar ndryshim. Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës.

Fatkeqësisht, ka gjithnjë e më pak njerëz, si rasti i disa pedagogëve, që i bëjnë jehonë dhe i japin mbështetje dhunës, pa bërë asgjë për t’u distancuar prej saj”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te krahasimet me vitin 1997, duke theksuar se situata e sotme është krejt e ndryshme nga ajo e krijuar pas skemave piramidale. Ai e përshkroi situatën në qendër të Tiranës si një përpjekje për të imponuar një realitet përmes dhunës.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje me vitin 1997, kur paraja u vu nën presionin e tmerrshëm të rrënimit dhe të pasojave të mashtrimit. Sot është krejt ndryshe. Jetojmë në një botë paralele njerëzish, të cilët duan të imponojnë me gurë dhe zjarr botën e tyre, në një perimetër të qendrës së Tiranës, që është kthyer në skenën e një filmi horror”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme