Protestat studentore, Shkodra në ditën e gjashtë të marshimit, gazetari Gjini zbulon çfarë pritet të ndodhë sot
Shkodra i është bashkuar qyteteve të tjera të vendit në valën e protestave studentore. Gazetari Marjo Gjini, në një lidhje për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri Aktualitet”, bëri të ditur se edhe sot pritet të zhvillohet një tjetër marshim në qytetin verior, në ditën e gjashtë të protestave.
Sipas gazetarit, grumbullimi i studentëve është planifikuar të nisë rreth orës 09:00, në zonën e Truma e Dugajve të Reja. Më pas, protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt Bashkisë së Shkodrës dhe institucioneve të tjera, ndërsa itinerari i plotë nuk është përcaktuar paraprakisht.
Gjatë ditëve të fundit, studentët kanë vijuar me thirrjet kundër klasës politike shqiptare, duke marshuar edhe drejt shkollave dhe universiteteve.
Gjini raportoi se protesta në Shkodër ka qenë përgjithësisht e qetë gjatë dy ditëve të fundit, të dielën dhe të hënën (18-19 tetor), pa incidente të regjistruara. Megjithatë, situata ka qenë më e tensionuar në ditët e para të tubimeve.
Sipas gazetarit, gjatë protestave të mëparshme janë dëmtuar godinat e selive të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Po ashtu, janë raportuar tentativa për të goditur me gurë Bashkinë e Shkodrës dhe objekte të tjera institucionale, si dhe dëmtime të sinjalistikës rrugore, infrastrukturës dhe kontejnerëve të mbeturinave.
Incidente janë regjistruar edhe të shtunën (17 tetor), kur pati shoqërime në polici, mes tyre edhe të të miturve. Ata u liruan pas një kohe të shkurtër, ndërsa protestuesit vijuan marshimin me thirrje për lirimin e tyre. Gazetari theksoi se komunikimi mes protestuesve dhe drejtuesit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndihmoi në zgjidhjen e situatës dhe lirimin e shpejtë të personave të shoqëruar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



