Protestë madhështore në Beograd, rreth 150 mijë qytetarë në mbështetje të studentëve kundër Vuçiçit

Rajon | 27 minuta më parë

Rreth 150 mijë persona u mblodhën të enjten në qendër të Beogradit, në një tubim masiv në mbështetje të lëvizjes studentore që synon t’i japë fund pushtetit shumëvjeçar të Partisë Progresiste Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç. Tubimi u zhvillua në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, më 25 tetor. (Votimi i së dielës vjen pas pothuajse dy vitesh protesta të udhëhequra nga studentët kundër sundimit të Vuçiçit. Fotografia: AFP/Getty Images).

Sipas vlerësimit të organizatës së pavarur “Arkivi i Tubimeve Publike”, pjesëmarrja në këtë aktivitet arriti në rreth 150 mijë persona. Mbështetësit e lëvizjes mbushën sheshin Slavija dhe rrugët përreth, duke valëvitur flamuj me mbishkrimin “Studentët po fitojnë”, duke fishkëllyer dhe brohoritur për ndryshimin politik.

Lëvizja, e njohur si “Lista e Studentëve”, përbëhet nga kandidatë të mbështetur nga studentët dhe nuk ka një udhëheqës të vetëm. Ajo garon me 250 kandidatë për 250 vendet në parlamentin serb, mes të cilëve ka pedagogë universitetesh, akademikë dhe persona që nuk kanë pasur më parë karrierë të mirëfilltë politike. Lufta kundër korrupsionit dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale janë në qendër të programit të saj, shkruan The Guardian.

“Po i japim fund 14 viteve poshtërim, kaos dhe tradhti, si dhe dekadave kur interesat personale dhe partiake janë vendosur mbi interesat tuaja”, deklaroi profesori universitar Jugoslav Gasiç, një nga kandidatët e listës, përpara turmës që brohoriste “Fitore, fitore!”.

“Ju meritoni më mirë dhe ne e dimë si ta arrijmë këtë. Studentët po fitojnë!”, shtoi ai.

Protestat që çuan në krijimin e kësaj lëvizjeje nisën pas tragjedisë së nëntorit 2024, kur shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti zemërim të gjerë për dyshimet mbi korrupsionin dhe parregullsitë në punimet e rikonstruksionit të stacionit. Fillimisht, studentët kërkuan hetim transparent dhe përgjegjësi për tragjedinë, por më pas protestat u shndërruan në një lëvizje mbarëkombëtare që kërkonte zgjedhje të parakohshme.

Pas gati dy vitesh demonstrata, presioni politik e shtyu Vuçiçin të shpallte zgjedhje të parakohshme muajin e kaluar. Ai ka dominuar politikën serbe për më shumë se një dekadë, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president. Tashmë, pasi është larguar nga posti i presidentit për të garuar për kryeministër, ai përballet me një nga sfidat më të rëndësishme elektorale që kur partia e tij erdhi në pushtet në vitin 2012.

Ndërsa studentët mbanin tubimin në qendër të kryeqytetit, Vuçiç iu drejtua mbështetësve të SNS-së në një sallë sportive. Ai ka akuzuar vazhdimisht lëvizjen studentore se përbën një përpjekje për grusht shteti të financuar nga jashtë.

“Le të mos harrojmë kurrë se si u përpoqën të rrëzonin shtetin tonë. Le ta mbrojmë dhe ta ruajmë gjithmonë atë”, deklaroi Vuçiç, përpara se t’u bënte thirrje mbështetësve të votonin kundër kundërshtarëve të tij.

Fushata zgjedhore është shoqëruar me akuza për intimidim, arrestime dhe përdorim të burimeve publike në favor të pushtetit. Organizata të shoqërisë civile kanë paralajmëruar se kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbeten problematike. Ndërkohë, të mërkurën, prokuroria në Beograd mori në pyetje gjashtë persona të arrestuar nën dyshimin për planifikim të dhunës, trazirave dhe sulmeve ditën e zgjedhjeve.

Sondazhet në Serbi kanë dhënë rezultate të ndryshme dhe nuk ofrojnë një panoramë të qartë të mbështetjes për dy palët. Për këtë arsye, gara e së dielës mbetet e paparashikueshme, ndërsa rezultati mund të përcaktojë drejtimin politik të vendit pas më shumë se një dekade qeverisjeje nga SNS-ja.

“Kam ndjekur këtë përpjekje që nga fillimi”, tha 35-vjeçari Igor, pjesëmarrës në tubim. “Sot është mitingu i fundit dhe është e rëndësishme që të gjithë të vijmë për të përcjellë një mesazh dashurie dhe paqeje, dhe të takohemi më 25 tetor në qendrat e votimit.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme