PS mbledh grupin, Rama: Jemi në udhëkryqe sfidash, por busulla jonë e pagabueshme është BE

Politikë | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS,  ku bëri një rezyme jo vetëm të arritjeve të bëra deri më tani, por edhe sfidave që shumica qeverisëse ka përpara.

Rama tha se vendi ndodhet në një udhëkryq sfidash që ka përpara, por shtoi se busulla e vendit është integrimi në BE. Rama shtoi se pjekuria politike dhe shoqërore është vendimtare për të kapërcyer sfidat dhe për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ka vendi. Ai theksoi rëndësinë e projekteve cilësore që mund të sjellin fonde dhe zhvillim, duke ruajtur ekuilibrin mes prioriteteve vendore dhe objektivave kombëtare.

 “Në një kohë që ekonomia vijon të ecë me ritmet e parashikuara, e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mëparshme, Shqipëria vijon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë. Projektet në zhvillim në këtë mandat janë më të shumta dhe domethënëse për nga impakti, por udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet disa rreziqe që kërkojnë një adresim të vendosur dhe një disiplinë të fortë nga ana jonë. Në të kundërt, Shqipëria rrezikon të bëjë në vend numëro, duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur në dispozicion. Ky nuk është një udhëkryq dilemash strategjike apo raportesh të ndryshuara të forcave, por një udhëkryq mjegullash botëkuptimore dhe erërash artificiale që synojnë të na çorodisin dhe të na ngatërrojnë me këmbët tona.

Pjekuria politike dhe shoqërore kërkohet kur duhet të ngjitemi edhe më lart, dhe diferenca mes pikës ku jemi dhe pikës ku duam të mbërrijmë e bën çdo detaj dhe çdo ditë, nga mënyra se si ne e shfrytëzojmë kohën, vendimtare. Nuk është e lehtë të ngjitesh nga një humnerë dhe të vish në një normalitet që ne e bëmë me shumë vështirësi, por është ende më e vështirë të ngjitemi më lart sot, duke parë edhe dinamikën e sfidave në procesin e negociatave. Çdo hap i ri vjen me një sfidë të re, më komplekse se ajo e mëparshme. Në këtë udhëkryq ne kemi në dorë një busull të pagabueshme: Shqipërinë në BE”, tha Rama.

Sipas Ramës, vendi po ecën me ritmet e parashikuara në ekonomi dhe po shkëlqen ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë. Ai theksoi se projektet strategjike në zhvillim kanë ndikim të madh për zhvillimin e vendit, por paralajmëroi se udhëkryqi ku ndodhet Shqipëria kërkon përgjegjësi të lartë dhe disiplinë nga institucionet dhe administrata.

“Opinioni që kam krijuar lidhur me situatën komplekse ku ndodhemi, jo thjesht ne, shumica qeverisëse, por vendi ynë sot, është se pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë, pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit me BE në një kohë rekord, si dhe pas zhvillimeve që lidhen sa me ecurinë dhe me fatin e reformës historike në drejtësi, aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërisë politike dhe shtet-ndërtimit demokratik për Shqipërinë 2030, unë besoj që duhet të shohim së bashku se jemi në një udhëkryq të ri”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme