PS nuk jep autorizimin për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut! Manja prezanton raportin: Prokuroria nuk provoi me fakte reale rrezikun e prishjes së provave
Partia Socialiste nuk do të japë autorizimin për heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku. Vendimi u bë me dije në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku Ulsi Manja paraqiti edhe qëndrimin zyrtar të socialistëve.
Manja deklaroi se SPAK nuk paraqiti fakte reale se dëshmitarët u intimiduan apo se deputetja Balluku ka rrezik të largohet nga Shqipëria.
Gjatë prezantimit, Manja theksoi se rasti paraqet një realitet të ri juridik dhe institucional, duke nënvizuar se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive pas ndryshimeve në përbërjen e qeverisë.
Ai theksoi se për Ballukun nuk ka asnjë akuzë reale se përbën rrezik për prishje provash apo pengim të drejtësisë.
“Nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë provë direkt apo indirekt ku deputetja Belinda Balluku të ketë përdorur ndikimin e saj për të prishur provat që ka në dispozicion organi i akuzës. Vepra penale për të cilën akuzohet Balluku është me natyrë administrative-penale. Jemi para një realiteti të ri juridik dhe institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si pasojë e ndryshimeve në përbërjen e qeverisë. Për pasojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike penale”, u shpreh Manja.
Sipas tij, arsyetimet mbi të cilat SPAK ka ndërtuar kërkesën, si rreziku i arratisjes, prishjes së provave apo kryerjes së një vepre tjetër penale, janë hipotetike për sa kohë lidhen me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja nuk i mban më.
Manja kritikoi gjithashtu mënyrën se si çështja është trajtuar në hapësirën publike.
“Kjo çështje që në thelb duhej të mbetej vetëm një çështje e drejtësisë, është shndërruar në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e opinionit publik. Në vend të një procesi të qetë, kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik që bie ndesh me parimin themelor të prezumimit të pafajësisë”, deklaroi ai.
Deputeti socialist theksoi se kërkesa e SPAK për rastin e Ballukut ndryshon nga rastet e tjera të paraqitura në Kuvend për heqje lirie, pasi nuk bëhet fjalë për vendosjen e një mase sigurimi për herë të parë, por për zëvendësimin e një mase ekzistuese me një masë më të rëndë.
“Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e së cilës sot janë në fuqi, me një masë më të rëndë atë të arrestit për një vepër penale për të cilën SPAK po heton që nga gushti 2024”, tha Manja.
Ai sqaroi se sipas Kodit të Procedurës Penale, zëvendësimi i një mase sigurimi mund të kërkohet vetëm në dy raste: kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur personi nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.
“Ky rast i dytë rrëzohet. Deputetja Balluku e ka respektuar në mënyrë korrekte masën e sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit”, theksoi ai.
Manja shtoi se Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë gjykatën në këtë proces. Sipas tij, roli i Kuvendit në këtë rast është procedural dhe kushtetues, duke u kufizuar në verifikimin e respektimit të procedurës penale dhe të ekzistencës së kushteve ligjore për zëvendësimin e masës së sigurimit.
“Më lejoni të jem i qartë: Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë Gjykatën në këtë procedurë. Kuvendi ushtron një filtër kushtetues dhe ky filtër nuk mund të jetë formal.
Juridiksioni dhe kompetenca e Kuvendit në rastin konkret janë të qarta. Deputeti nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Prokuroria, sa herë kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi, duhet të paraqesë një relacion dhe provat që mbështesin kërkesën.
Duke iu referuar kuadrit normativ, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së SPAK është e natyrës procedurale-kushtetuese dhe jo gjyqësore.
Kompetenca e Kuvendit në rastin konkret kufizohet në vlerësimin e kontrollit të respektimit të procedurës penale, sa i takon ekzistencës së kushteve ligjore për të dhënë autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg apo shtëpi, kontrollin personal dhe të banesës, rëndimin e nevojave të sigurimit dhe domosdoshmërinë e arrestit si masë përjashtimore”, u shpreh ai.
Manja bëri me dije gjithashtu se në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin nuk është arritur një raport i përbashkët mes anëtarëve.
“Në Këshill kemi pasur diskutime, por nuk arritëm të dalim me një raport të përbashkët”, tha ai.
Ai nënvizoi se autorizimi i Kuvendit për arrestimin e një deputeti është një akt vullneti me përgjegjësi politike dhe juridike.
“Nëse dhënia e këtij autorizimi do të ishte e detyrueshme sa herë kërkohet nga prokuroria, Kuvendi do të shndërrohej në një organ formal pa rol real balancues”, deklaroi Manja.
Në fund, ai theksoi se imuniteti procedural nuk është privilegj personal i deputetëve, por një garanci institucionale për funksionimin e lirë të Kuvendit.
“Imuniteti procedural nuk mund të jetë privilegj personal, por garanci institucionale për mbrojtjen dhe funksionimin e lirë të Kuvendit. Kuvendi ka të drejtë të verifikojë nëse ndërhyrja në lirinë personale është reale dhe proporcionale”, përfundoi Manja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




