Publikohen pamjet, vetëdorëzohet në polici drejtori i pezulluar i Burgut të Rrogozhinës Bilal Hasa, pas zbulimit të laboratorit të drogës

Aktualitet | 7 muaj më parë

Arratia e kreut të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, ka zgjatur vetëm pak orë pas zbulimit të bujshëm të një laboratori masiv droge në pronën e tij. Ish-zyrtari i lartë i sistemit penitenciar ka vendosur t’i dorëzohet drejtësisë, duke u paraqitur vullnetarisht pranë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.

Ky moment kyç i zhvillimit të ngjarjes nuk ka mbetur larg syrit të kamerave. Bilal Hasa, i cili deri pak orë më parë mbante detyrën e Drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, i është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë, duke i dhënë fund arratisë së tij të shkurtër.

Ish-zyrtari i lartë u vetëdorëzua pranë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, pas shpalljes në kërkim si i dyshuar se drejtonte një rrjet të mirëorganizuar për kultivimin e lëndëve narkotike.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e RTSH 24 pranë burimeve të uniformave blu, vendimi i Hasës për t’u vetëdorëzuar ka ardhur menjëherë pasi emri i tij u lakua në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit si pronari i godinës ku u zbulua “shtëpia e barit”.

Alibia e Hasës

Përballë oficerëve të Policisë Gjyqësore, ish-zyrtari i lartë i sistemit penitenciar ka hedhur poshtë kategorikisht çdo implikim në këtë veprimtari kriminale. Hasa ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me infrastrukturën e paligjshme dhe sasinë e narkotikëve të sekuestruar në pronën e tij në fshatin Kurtaj.

Për të argumentuar pafajësinë e tij, mësohet se Hasa ka pohuar para hetuesve se prej disa muajsh nuk e kishte vizituar fizikisht atë objekt. Rrjedhimisht, sipas dëshmisë së tij, ai nuk ka pasur asnjë dijeni se magazina ishte shndërruar në një ambient të izoluar dhe të përshtatur me sisteme ngrohjeje e ndriçimi artificial për kultivimin e rreth 4,000 rrënjëve kanabis.

Operacioni “Kurtaj” dhe pamjet nga laboratori

Gjithçka doli në dritë pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, të zhvilluar nga Drejtoria për Krimet në Volum në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Prokurorinë e rrethit. Bazuar në informacione operative, forcat e rendit ushtruan një kontroll të befasishëm në pronën e shtetasit Bilal Hasa, në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj, Peqin.

Pamjet filmike të bëra publike nga Policia e Shtetit dëshmuan përmasat e vërteta dhe shkallën e lartë të sofistikimit të këtij aktiviteti kriminal. Në bodrumin e një magazine masive, autorët kishin inxhinieruar dy ambiente të mëdha, tërësisht të izoluara dhe të përshtatura për të krijuar një mikroklimë ideale për rritjen e narkotikëve. Brenda këtyre dhomave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 4,000 rrënjë të dyshuara si kanabis sativa.

Për të zëvendësuar ciklin natyror, aty ishte ngritur një infrastrukturë elektrike me kosto të lartë, e përbërë nga qindra llamba me intensitet të lartë, neonë të specializuar dhe pajisje të rënda ngrohjeje.

Dyshimet për bashkëpunëtorë, në kërkim edhe një zyrtar i OSHEE-së

Një laborator i këtyre përmasave është e pamundur të funksionojë pa një konsum ekstrem dhe të pandërprerë të energjisë elektrike. Për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit dyshon se rrjeti ka pasur mbulim institucional për të fshehur vjedhjen masive të energjisë.

Së bashku me ish-drejtorin e burgut, është shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” edhe shtetasi me iniciale E. M., i cili mban pozicionin e përgjegjësit të OSHEE-së për zonën e Peqinit. Policia po vijon operacionet në terren për lokalizimin dhe prangosjen e tij.

Pezullimi i menjëhershëm nga detyra

Zbulimi i këtij rasti solli reagimin e ashpër dhe të menjëhershëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sapo u vu në dijeni nga raportimet mediatike dhe ato policore, institucioni ndërmori hapat e parë administrativë duke e pezulluar zyrtarisht Bilal Hasën nga detyra si kreu i IEVP Rrogozhinë, në pritje të përfundimit të hetimeve.

Përmes një deklarate zyrtare, Drejtoria e Përgjithshme u distancua qartë nga veprimet e ish-vartësit të saj. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit,” theksohet në njoftim.

Bilal Hasa pritet të merret në pyetje intensive nga prokurorët, ndërsa hetimet po zgjerohen për të zbuluar nëse në këtë veprimtari kanë qenë të përfshirë punonjës të tjerë të administratës apo sistemit të burgjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme