Qendra e Drejtësisë, Rama: Pol i ri urban për sistemin gjyqësor. Fund qirave në ambiente private
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e Qendrës së Drejtësisë, theksoi se kjo qendër e re jo vetëm do të garantojë standarde bashkëkohore për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën, por do të përbëjë edhe një vlerë të shtuar arkitektonike për kryeqytetin dhe vendin.
“Ti japim Shqipërisë një qendër të re drejtësie, e cila do jetë një qendër që do garantojë kushtet dhe standardet për ata që punojnë aty por dhe të jetë një tjetër vlerë e shtuar për vendin nga pikëpamja arkitektonike.
E rëndësishme që të bëjmë diçka që ti rezistojnë kohërave dhe të adresojmë këtë problematikë komplekse që ka sistemi në aspektin e kushteve. Për fat të keq trashëgimia në këtë drejtim është goxha problematike.
Sot e gjithë ditën kemi një numër të konsiderueshëm institucionesh që janë qiramarrës në godina dhe hapësira private”, u shpreh Rama, duke theksuar se aktualisht një numër i konsiderueshëm institucionesh të drejtësisë operojnë në ambiente me qira, në godina dhe hapësira private.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se ka nisur një proces për zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve, përmes vënies në dispozicion të pronave shtetërore në Tiranë dhe në qytete të tjera për interes publik.
Ai theksoi se qeveria nuk do të kryejë më shitje apo dhënie pronash shtetërore në favor të investitorëve privatë në Tiranë, por do të synojë që shteti të përfitojë nga asetet e veta, njësoj si pronarët privatë.
“Kemi filluar një proces që do na çojë drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj problematike me korporatën shqiptare të investimeve, duke marrë gjithë pronat shtetërore që janë ende në Tiranë apo vende të tjera dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik.
Nuk bëjmë më asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të investitorëve privatë në Tiranë. Përkundrazi kërkojmë që shteti njësoj si pronarët privatë të përfitojë nga ato.
Në këtë mënyrë kemi disa projekte që janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar në disa vite zyra dhe sipërfaqe për të ushtruar funksionet administrative të pushtetit ekzekutiv”, shtoi Rama.
Sa i takon Qendrës së Drejtësisë, Rama sqaroi se projekti nuk mund të përfshihet në skemat e tjera të zhvillimit, por do të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Sipas tij, bëhet fjalë për financimin më të madh të realizuar ndonjëherë për infrastrukturën administrative në Shqipëri.
Kryeministri nënvizoi se, pas reformës së thellë në drejtësi, është e domosdoshme që të vijojë mbështetja ndaj sistemit përmes garantimit të kushteve dhe standardeve më të larta të funksionimit.
“Për Qendrën e Drejtësisë është pak më ndryshe dhe nuk mund dot ta fusim në këtë proces, por duhet ta financojmë drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Është financimi më i madh që është bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative në Shqipëri, por besojmë se është i duhuri.
Sot janë krijuar mundësitë dhe janë përmbushur dhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë.
Jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë secila palë të bëjë detyrat e veta”, u shpreh Rama, teksa shtoi se procesi ka 6 muaj që ka filluar.
Rama sqaroi se vendi ku do ndërtohet qendra është hapësirë do kërkojë shpronësim për interes publik
“Vendi ku do ndërtohet qendra është hapësirë do kërkojë shpronësim për interes publik. Gjykatësit të mos i japin dorës për t’i rritur dëmshpërblimet si i bëjnë zakonisht. Se janë të njëjtat para që kërkojnë për të rritur pagat”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




