Qendra Shëndetësore Verore në Pogradec – Rreth 4 mijë vizita për hipertensione, alergji, pickime

Shëndet | 1 vit më parë

Edhe këtë vit, qendra shëndetësore verore në Pogradec ka qenë në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve që nga data 1 qershor, duke pritur një numër të lartë vizitorësh. Deri më tani, sipas drejtoreshës së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Pogradec, Elona Katiraj, janë kryer rreth 4 mijë vizita.

“Qendra ka filluar funksionin që nga data 1 qershor dhe përfundon funksionin në datën 30 shtator, ku shërbimi është dhënë nga dy mjek dhe dy infermier të cilët kanë pritur të gjithë vizitorët që kanë ardhur në qytetin e Pogradecit”, u shpreh Katiraj.

Mjekja e qendrës, Sara Braçaj, shpjegon se më të shumtët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë qenë të moshuarit, ku falë ekzaminimit të shpejtë janë shmangur edhe raste që mund të kishin përfunduar me pasoja fatale. Simptomat më të shpeshta të pacientëve lidhen me hipertensionin, alergjitë, pickimet, reaksionet dhe virozat sezonale.

“Do të theksoja mbi të gjitha rastet kardiake që është dashur dhe ndihma e urgjencës”, tha Braçaj.

Qendra shëndetësore verore funksionon prej disa vitesh në qytetin liqenor, duke ofruar ndihmë të menjëhershme për pushuesit, veçanërisht në zonën e plazhit të Pogradecit.

Gazetare: E. Xhindole

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme