Qeveria miraton identitetin digjital, Ibrahimaj: Fund dokumenteve shkresore. Bord ndërministror për filtrimin e investimeve të huaja në sektorët kritikë

Ekonomi | 7 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj ka bërë me dije 3 aktet e miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, një prej të cilave është pr.ligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”. Ministrja sqaroi se ky pr.ligj do t’i japë fund dokumenteve dhe firmave shkresore përmes krijimit të portofolit të identitetit digjital.

“Në mbledhjen e qeverisë miratuam 3 akte: pr.ligjin për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital. Ky pr.ligj ofron siguri më të madhe ligjore, më parë çështjet e trajtuar në këtë pr.ligj ishin në 2 pr.ligje të veçanta. Ky ligj krijon kushtet për të pasur siguri të të dhënave më të lartë, për të krijuar portofolin e identitetit digjital i cili është parakusht dhe përmbyll çështjen e shkresave apo dokumenteve elektronike.

Me hyrjen në fuqi të ligjit, në një kohë afatmesme, por të shkurtër do të eliminojmë gjithë dokumentet shkresore dhe firmat shkresor dhe administrata do mund të punojë paperless”, deklaroi Ibrahimaj.

Akti i dytë i miratuar në mbledhjen e qeverisë lidhet gjithashtu me procesin e integrimit në BE. Ibrahimaj sqaroi se përmes Rregullores së Shqyrtimit të Investimeve të Huaja në sektorët kritikë të ekonomisë shqiptare dhe bordit ndërministror do shqyrtohet gjithë investimet që vijnë nga vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Akti i dytë lidhet me procesin e integrimit. Me vendimin e këshillit të ministrave për Rregulloren e Shqyrtimit të Investimeve të huaja në sektorët kritikë të ekonomisë shqiptare, përmbyllim gjithë piketat e kapitullit 30. Përmes këtij akti të sapomiratuar dhe një mekanizmi të një bordi të drejtuar nga ministri i ekonomisë , bord ndërministror, ne do shqyrtojmë gjithë investimet që vijnë nga vende jo anëtare të BE. Fillimisht në fushën e medias dhe mbrojtjes. Pas anëtarësimit në BE ky bord do shqyrtojë kërkesat për investime të huaja në sektorët kritikë të ekonomisë shqiptare”, deklaroi Ibrahimaj e cila theksoi se akti i tretë lidhet me mbështetjen e qeverisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Fond 100 mln euro për AIDA-n.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme