Qeveria miraton subvencionimin për kurset e formimit profesional, mbështetje financiare dhe bonus transporti për punëkërkuesit

Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka miratuar vendimin e ri që përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për subvencionimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe masën e pagesës për pjesëmarrjen në kurset e formimit profesional.
Programi synon aftësimin e punëkërkuesve të papunë sipas kërkesave të tregut të punës, duke i pajisur ata në përfundim me një certifikatë zyrtare të njohur në nivel kombëtar.
Kriteret dhe masa e mbështetjes financiare
Përfitues të këtij programi janë punëkërkuesit e papunë që i përkasin “grupeve të veçanta”, siç përcaktohet në ligjin për nxitjen e punësimit. Një individ mund të përfitojë mbështetje financiare vetëm për një kurs brenda një periudhe 12-mujore.
Skeleti i financimit përfshin dy elemente kryesore. Pagesa për frekuentimin, financim në masën 50% të pagës minimale orare në shkallë vendi për çdo orë mësimore të ndjekur dhe bonus mujor prej 1,800 lekësh për punëkërkuesit që e kanë vendbanimin më shumë se 2 km larg institucionit të formimit profesional.
Kalimi i fondeve bëhet çdo muaj drejtpërdrejt në llogarinë bankare të përfituesit, pas konfirmimit të frekuentimit. Lidhur me rregullat e pjesëmarrjes, akti normativ përcakton se “nëse kursantët përfitues të këtij programi largohen me dëshirë nga kursi ose bëjnë mungesa më shumë se 20% të orëve mësimore, pagesa për pjesëmarrjen në formimin profesional ndërpritet menjëherë, duke humbur të drejtën e përfitimit për muajin aktual e në vijim.”
Procedurat e zbatimit dhe afatet zyrtare
Procedura menaxhohet nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), e cila vlerëson nevojat e punëkërkuesve dhe bën referimin e tyre.
Institucioni i formimit profesional dërgon dokumentacionin e pjesëmarrjes pranë DRAKPA-së brenda 3 ditëve të punës të muajit pasardhës.
DRAKPA kryen pagesat për kursantët brenda 7 ditëve të punës nga marrja e dokumentacionit. Programet që zhvillohen në kuadër të të nxënit në vendin e punës nuk përfshihen në këtë skemë subvencionimi.
Efektet financiare do të përballohen nga Buxheti i Shtetit përmes programit “Tregu i punës”. Afati i zbatimit të këtij programi është 5 vjet nga hyrja në fuqi, ndërsa vlerësimi i ndikimit të tij do të kryhet çdo 4 vjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




