Qielli shqiptar më i ngarkuar/Më shumë pasagjerë dhe mallra, turizmi dhe low-cost shtyjnë përpara transportin ajror

Ekonomi | 51 minuta më parë

Transporti ajror në Shqipëri vijon të zgjerohet, si në lëvizjen e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të mallrave. Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025, hyrje-daljet e pasagjerëve me avion arritën në 11,6 milionë, me rritje prej 8,7% krahasuar me një vit më parë. Zgjerimi është edhe më i dukshëm në perspektivën dyvjeçare, pasi në vitin 2023 u regjistruan rreth 7,3 milionë hyrje-dalje.

Paralelisht, volumi i mallrave dhe postës arriti në 2.807 tonë, 24,4% më shumë se në vitin 2024. Megjithatë, fluksi mbetet i orientuar drejt importeve: 1.821 tonë mallra mbërritën në Shqipëri, ndërsa 682 tonë u dërguan jashtë vendit. Në hapësirën ajrore shqiptare u regjistruan gjithashtu mbi 334 mijë mbikalime, me rritje vjetore prej 9,7%.

Kjo tendencë vijon edhe gjatë vitit 2026 dhe pasqyron ndryshimet në ekonominë shqiptare, të nxitura kryesisht nga turizmi dhe zgjerimi i linjave me kosto të ulët, që e bëjnë udhëtimin ajror më të përballueshëm. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i tregtisë elektronike, lehtësitë fiskale dhe modernizimi i logjistikës tregtare po rrisin nevojën për transportin ajror të mallrave. Rritja e flukseve tregon rëndësinë në rritje të këtij sektori për turizmin dhe ekonominë, por edhe nevojën për kapacitete infrastrukturore që t’i përgjigjen kërkesës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme