QSUT – Fundjavat e ngarkuara me urgjenca toksikologjike, rreth 70 të rinj e pësojnë keq nga alkooli dhe drogat
Fundjavat në urgjencën polivalente të QSUT-së janë të ngarkuara me emergjenca të toksikologjisë për shkak të përdorimit pa kriter të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike. Numri i këtyre urgjencave në turnin e natës shkon deri në 70, të rinj e të reja që vijnë me çrregullime të forta të ritmit të zemrës prej konsumimit të këtyre lëndëve.
“Deri në 70 të rinj e të reja përfundojnë çdo fundjavë në urgjencën polivalente të QSUT-së për shkak të intoksikimit dhe çrregullimeve kardiake nga përdorimi i pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike. Ngarkesa alarmante me këto urgjenca fillon që prej orës 22:00 të mbrëmjes e deri në orën 7:00 të mëngjesit.”
Kryeinfermieri i shërbimit të urgjencës, Roland Alla, tregon për RTSH se si turnet e treta në fundjavë karakterizohen nga situata të tilla shqetësuese.
“Janë mosha shumë të reja. Konsumojnë pije energjike. Janë shumë të çrregullt, pagjumësi, përdorin lëndë narkotike… Kohët e fundit nga vetë toksikologët është bërë thirrje shpeshherë që përdorimi është rritur në masë në mosha shumë të vogla dhe të gjitha këto sjellin çrregullime kardiake.”
Jeta e çrregullt në lokale nate dhe konsumimi i tepruar i alkoolit, pijeve energjike dhe lëndëve narkotike vihet re në mosha shumë të reja dhe kjo mund të çojë në formimin e një brezi të sëmurësh me zemër në të ardhmen e afërt.
Për moshat shumë të reja largimi i shpejtë nga këto lëndë mund t’i kursejë ata nga telashet e sigurta me shëndetin.
“Sidomos pacientët që janë në moshë të re, në momentin që merret kthesa e duhur mund të rifitohet e të bëjnë një jetë normale.”
Regjistrat e pacientëve të QSUT-së tregojnë çdo vit e më shumë se problemet shëndetësore po zbresin në mosha shumë të reja për shkak të jetës plot vese që ata bëjnë.
Gazetare: Sonila Mlloja
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




