QSUT, mbi 250 fëmijë paraqiten çdo ditë në urgjencë. Infeksionet gastro-intestinale kryesojnë ankesat
Temperaturat ekstremisht të larta gjatë gushtit kanë bërë që shumë të vegjël të mos i përjetojnë mirë. Çdo ditë, në urgjencën e pediatrisë së QSUT-së, paraqiten mbi 250 fëmijë të prekur, kryesisht nga infeksionet gastro-enterite, që kanë pasur nevojë për t’u menaxhuar në klinikë.
“Në këtë periudhë, rastet që predominojnë janë rastet me infeksione gastrointestinale, kryesisht virale, por edhe bakteriale, që shoqërohen me shenja të dehidrimit, me të vjella, me diarre, me temperaturë të lartë, me dhimbje barku, shpeshherë me dhimbje koke, por edhe me përgjumje”, tha pediatrja.
Mjekja e urgjencës, Anisa Potka, thotë se një pjesë e fëmijëve janë ndikuar shumë nga uji i plazheve dhe pishinave, ndërsa një pjesë edhe nga ushqimi i ruajtur jo mirë.
“Duke qenë se është një periudhë që fëmijët frekuentojnë pishinat, detin dhe ekspozimin në diell, në urgjencë paraqiten edhe raste me infeksione urinare, me infeksione të lëkurës dhe me infeksione të veshit. Gjithashtu, nuk kanë munguar edhe rastet me pickimet nga insektet dhe rastet kur fëmijët vijnë me intoksikacione alimentare, siç ne i njohim, helmimet ushqimore”, tha ajo.
Për mjekët, çdo urgjencë fëmije është mision, por për të shmangur ngarkesën nga radhët e pritjes, ata këshillojnë marrjen e ndihmës së parë pranë mjekut të lagjes dhe, në rast rëndimi të gjendjes shëndetësore, t’i drejtohen urgjencës.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





