QSUT, pajisje të re për kancerin e lëkurës. Prof. Vasili: Rastet me melanomë po rriten, preken edhe të rinjtë
Melanoma, kanceri më i rrezikshëm i lëkurës, që ka shënuar rritje të rasteve në 10 vitet e fundit, tashmë mund të diagnostikohet më mirë falë instalimit të aparatit të ri të dermatoskopit në qendrën e konsultave pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).
Prof. Ermira Vasili thotë se pajisja jo vetëm diagnostikon, por edhe parandalon në kohë nishanet kancerogjene.
“Duke pasur një aparat me mikroskop, me një dritë të caktuar, të lidhur me kompjuterin, ne i ruajmë imazhet dhe kontrollojmë ndryshimin e nishaneve nga viti në vit apo nga muaji në muaj. Në momentin që shikojmë që ky nishan përmban në vetvete rrezikun e transformimit, ne e heqim. Pra, bëjmë incizionin dhe sigurisht biopsinë, dhe parandalojmë melanomën,” tregon Prof. Vasili.
Fatkeqësisht melanoma po prek edhe të rinjtë. Kjo për shkak të stilit të jetesës, por edhe rritjes së vetëdijes për të mbajtur nën kontroll nishanet, sidomos ato të rejat.
“Vëmë re që po vijnë duke u rritur rastet. Ka raste që vijnë në forma të rënda, në stade të avancuara, por njerëzit vijnë edhe për kontrollin e nishaneve. Është ulur mosha, sepse edhe rinia është ndërgjegjësuar dhe vijnë në kohën e duhur. Fatmirësisht në moshat e reja, kur i kapim në melanomë në stadet e hershme ato janë plotësisht, 100 për qind të kurueshme. Unë u them në biseda e sipër se dalin vonë në plazh, në orën 12:00 [mesditë], kur nuk duhet dalë,” thotë mjekja.
Mundësitë ekzaminuese, sipas Prof. Vasilit, duhet të shtrihen edhe në ndonjë qendër në sistemin ambulator.
“Të paktën një shërbim në një qendër të ketë edhe kjo, sepse nevojat janë gjithmonë në rritje,” shprehet ajo.
Ndryshimi i formës, ngjyrës dhe madhësisë së nishaneve është një sinjal i mirëfilltë alarmues për t’u kontrolluar në mënyrë periodike te mjeku dermatolog.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




