Rama i përgjigjet kërkesës së pedagogëve për dorëheqje: Deri tani këto janë idetë e intelektualëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesës së një grupi pedagogësh e intelektualësh për dorëheqjen e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson se deri tani vetëm këto janë idetë e pedagogëve dhe intelektualëve.
“Dorëheqje! Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! S’duam dialog!’ — Deri tani këto janë idetë e pedagogëve dhe të intelektualëve që janë mbledhur këtu poshtë”, shkruan kryeministri Edi Rama, shoqëruar edhe me videon përkatëse në rrjetet e tij sociale.
Ndërkaq, mëngjesin e sotëm kryeministri Rama përsëriti thirrjen për dialog drejtuar studentëve që prej shtatë ditësh vijojnë protestat, këtë herë përmes një akti simbolik para godinës së Kryeministrisë. Përpara institucionit janë vendosur karrige me pankarta ku shkruhet “Dialog”, në shenjë të gatishmërisë së qeverisë për t’u ulur në bisedime me protestuesit.
“Tani, kush do dialog pa kushte, ku të dojë, kur të dojë edhe këtu po të dojë, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë, të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohen nga dhuna”, tha Rama.
Studentët dhe gjimnazistët kanë dalë në protestë prej shtatë ditësh, duke kërkuar ndryshime në sistemin arsimor. Tubimet janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe akte dhune, ndërsa protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




