Rama i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve: Kërkoni t’i rrisni pagat vetes me 3 mijë euro në muaj, e papranueshme të shfaqeni si parti politike

Aktualitet | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të artikuluara mbrëmjen e djeshme (3 shkurt) nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të cilët i konsideruan deklaratat e Kreut të Këshillit të Ministrave mbi rritjen e pagave të tyre, si “tymnajë populiste”.

Rama e ka cilësuar si të papranueshëm reagimin e tyre, dhe si një tentativë për t’ju imponuar Parlamentit dhe Qeverisë përmes pushtetit gjyqësor, me qëllimin e vetëm rritjen e pagave për veten e tyre.

Kryeministri thekson se gjyqtarët kërkojnë rritjen e pagës së tyre me 3 mijë euro në muaj, ndërkohë që sot pagat e tyre janë të barabarta me gjyqtarët në vendet e Bashkimit Europian. Ai bëri dhe një pasqyrë të pagave që kanë sot gjyqtarët e shkallës së parë, të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, dhe rritjes që kërkon Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë.

“Që ta dinë shqiptarët se çfarë kërkoni ju dhe se për çfarë jemi ne në gjyq me ju në Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3 mijë e 360 euro në 5 mijë e 300 euro.

Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3 mijë e 480 euro në 5 mijë e 500 euro.

Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë  të shkojë 5 mijë e 800 euro. Ju kërkoni që pagat e Prokurorëve të SPAK ( SPAK e veçoj sepse nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurd, nuk ka firmosur për të qenë palë në GK) në 9 mijë e 800 euro, ndërkohë që sot aktualisht pagat janë rreth 6 mijë e 500 euro.

Pra 3 mijë euro doni ju ti rrisni pagat vetes në muaj me vendim gjykate. Ku jeni ju këtu? Çfarë kërkoni ju? Ndërkohë ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë është se pagat tuaja janë paga më të larta goxha më të larta se në rajon, Maqedoninë e Veriut, Malin e zi dhe janë paga të barabarta me gjykatësit në një vend të BE siç është Greqia.”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se shoqata e gjyqtarëve po shfaqet publikisht si një parti politike me një gjuhë që sipas tij, është e papranueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Ai theksoi se Partia Socialiste dhe qeveria nuk janë në betejë politike, duke garantuar se nuk kanë asnjë qëllim të bëjnë fushatë kundër gjyqtarëve.

“Dhe befas shoqata e gjyqtarëve publikisht shfaqet si një parti politike me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për ta që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, përfaqësojnë një pushtet që arbitron dhe jo një arbitër i cili thotë bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier.

Besoj se të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë ku e udhëheq unë së bashku me gjithë shokët dhe shoqet e armëve të PS-së, një uragan që merr përpara kë ti dalë përpara kur bëhet fjalë për një betejë politike. Por kjo nuk është betejë politike dhe ne nuk jemi në asnjë fushatë. Nuk kemi asnjë qëllim të bëjmë fushatë kundër gjykatësve. Të vetëvendosurit në pozicionin e viktimës, ndërkohë që ajo që kjo shoqatë po kërkon është unikale në historinë e Europës, nuk e bën më të lehtë pozicionin e gjykatësve. “E gjithë kjo tymnajë populiste”, po kush jeni ju që i jepni vetes të bëni përcaktime të tilla? Jeni parti politike? Regjistrohuni si parti politike, dilni në garë dhe mbroni platformën tuaj

E dini çfarë është linçimi? Linçimi është diçka krejt tjetër dhe s’ka lidhje fare me një qëndrim publik, kur nuk është përmendur një njeri me emër, as nuk është fyer dhe etiketuar njeri, por është ngritur një problem i madh dhe serioz. Ju zotërinj kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti I shtetit për ti rritur vetes suaj pagat. Kjo është e vërteta që nuk e luan topi”, theksoi ai.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi mbrëmjen e djeshme pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se gjyqtarët po kërkojnë rritjen e pagave të tyre, një kosto që sipas tij do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro.

Në reagimin e saj, Shoqata e Gjyqtarëve e cilësoi këtë fushatë si një “tymnajë populiste”, e cila, sipas tyre, synon linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre në lidhje me një proces gjyqësor kushtetues që ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

Shoqata thekson se nuk ka për qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e nenit 138 të Kushtetutës, i cili garanton se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen. Në reagim akuzohet për ndërhyrje të përsëritura të qeverisë dhe Kuvendit që prej vitit 2016 që, sipas tyre, kanë cenuar statusin financiar dhe pavarësinë e magjistratëve.

“Ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes publike dhe mediatike, e cila synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një proces që duhet të zhvillohet vetëm në sallën e gjykimit. Iniciativat tona nuk kanë si qëllim rritjen e pagës, por mbrojtjen e standardeve kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit,” thuhet në reagim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme