Rama: Kam refuzuar 3 herë dorëheqjen e Ballukut. Largimin e një anëtari qeverie se përcakton as prokurori e as “gjyqi popullor”
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por se ka qenë ai që nuk e ka pranuar. Duket folur për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale të nenit 242, Rama tha se debati nuk lidhet me emrin konkret, por me ndërhyrjen në kompetencat e ekzekutivit.
“Rasti konkret është një tjetër proces dhe nuk është i lidhur me pezullimin. Belinda Balluku ka dorëzuar tre herë dorëheqjen dhe i kam të gjitha në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të tre herët ia kam refuzuar unë.
Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe ka hyrë në territorin e ekzekutivit nuk ka. Jam falënderues për faktin që nuk ka insistuar, por ka vazhduar ta mbajë gjithë atë baltë mbi fytyrë”, tha Rama.
Rama theksoi se nuk do ta pranojë dorëheqjen deri në plotësimin e kushteve ligjore, duke nënvizuar se këtë nuk e përcakton as prokuroria, as media dhe as “gjyqi popullor”. Sipas tij, nëse do të ndiqej kjo logjikë, do të rrezikohej funksionimi normal i pushtetit ekzekutiv.
“Unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet, dhe këtë nuk e përcakton as prokurori, as media dhe as “gjyqi popullor”. Nëse do të hynim në këtë logjikë, atëherë do t’i hapnim rrugën që pushteti ekzekutiv të mos qeveriste dot”, tha Rama.
Lidhur me imunitetin e Ballukut, Rama tha se ajo do të diskutohet në Kuvend dhe më pas do të diskutohen dhe kalohen ndryshimet ligjore të Proceduarës Penale.
“Nisma adreson një problem që nuk duhet të shfaqet më, nuk duhet t’i shkojë më në mend askujt që me fuqinë e prokurorit e me verbërinë e gjykatësit që i shkon prokurorit nga mbrapa pa arsyetuar që të marri peng një funksion kushtetues. Rasti konkret është në proces në kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me gjithë përgjegjësinë që kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja duhet të ketë parasysh se dhe në aspektin kohor, Parlamenti do shprehet përpara për imunitetin e më pas do kalojë në votë ky ndryshim. S’ka asnjë lidhje me rastin konkret”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




