Rama: Malësia e Madhe e Përmeti, nga vende pa shpresë në sukses turistik. “Retë artificiale” nga bulevardi i Tiranës mbulojnë realitetin e punës së bërë
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar zhvillimin turistik të Malësisë së Madhe dhe Përmetit, duke i cilësuar si shembuj të transformimit të Shqipërisë në vitet e fundit.
Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se vite më parë këto zona perceptoheshin si vende pa shpresë, ndërsa sot janë kthyer në destinacione turistike të rëndësishme të vendit.
Duke iu referuar protestës në Tiranë, Rama theksoi se, sipas tij, zhvillimet pozitive në vend shpesh mbulohen nga debatet dhe perceptimet që krijohen në rrjetet sociale dhe në ekranet televizive.
“Shumë vite më parë vende si Malësia e Madhe apo Përmeti ngjanin si vende pas asnjë shpresë. Sot janë dy destinacione turistike të Shqipërisë së re, asaj tjetrës që kemi ndërtuar me shumë mund, ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama.
Ai foli gjithashtu për shqiptarët që kanë emigruar prej vitesh jashtë vendit dhe që, sipas tij, janë rikthyer në Shqipëri për të investuar, duke mos u penduar për vendimin e tyre.
“Sot shqiptarët që kanë emigruar jashtë prej vitesh, janë rikthyer në vendin e tyre për të investuar dhe nuk janë penduar për këtë gjë, por përkundrazi”, shtoi Rama.
Rama foli edhe për programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, ku tha se bizneset e vogla dhe të mesme do të asistohen nga ekspertë të ekonomisë dhe të zyrave të Kombeve të Bashkuara në Tiranë për të aplikuar në programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Fokusi kryesor i skemës do të jetë te turizmi dhe agroturizmi, sektorë që qeveria, tha Rama, synon t’i mbështesë përmes lehtësimit të aksesit në financim dhe zgjerimit të mundësive për investime.
“Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Shteti ka vënë garanci për bizneset e vogla dhe të mesme, që të përfitojnë nga kreditë me interes deri në 2%. 70% të garancisë e vë shteti dhe afati është 10 vjet.
Ne e kemi për borxh ndaj bizneseve që t’i asistojmë gjatë gjithë procesit të aplikimit. Kemi angazhuar ekspertë nga zyrat e Kombeve të Bashkuara këtu në Tiranë, si dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët do të jenë në dispozicion për të ndihmuar bizneset që të aplikojnë në mënyrën e duhur. Fokusin kryesor e kemi te turizmi dhe agroturizmi”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




