Rama në Abu Dhabi: Në fund të 2028 synojmë pavarësi energjetike. Bashkëpunim strategjik me Emiratet Arabe dhe Italinë për furnizimin e Evropës
Kryeministri Edi Rama tha se ambicia e Shqipërisë është të sigurojë sovranitet të plotë energjetik, duke u bazuar tërësisht në burime të rinovueshme dhe më pas t’ia shesë atë Evropës.
Gjatë pjesëmarrjes në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, nën kujdesin e Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, Rama bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria ka nisur një bashkëpunim strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, për krijimin e një partneriteti trepalësh në fushën e energjisë.
Sipas Ramës, energjia e gjelbër e prodhuar në Shqipëri do t’i shërbejë tregut europian, duke u shitur vendeve të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Kemi një bashkëpunim strategjik dhe ambicie të përbashkët me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë. Synojmë një bashkëpunim trepalësh dhe krijimin e një baze energjetike në Shqipëri. Synimi ynë është të arrijmë kapacitetin prej 3 gigavatësh përmes kabullit lidhës me Italinë, për t’i shërbyer Evropës me energjinë e gjelbër, së bashku me miqtë tanë arabë, dhe për ta shitur atë në tregun evropian”, tha Rama.
Rama theksoi se Shqipëria aktualisht prodhon 100% të energjisë së saj nga burime të rinovueshme dhe nuk përdor karburante fosile, duke e renditur vendin ndër më të avancuarit në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.
Sipas Kryeministrit, gjatë dekadës së fundit janë bërë investime të rëndësishme në energjinë diellore dhe të erës, me synimin për të krijuar një portofol të ekuilibruar energjetik, që do t’i japë fund varësisë nga importi.
“Jemi me fat që kemi burimet hidrike dhe jemi 100% me energji të ripërtërishme, pa përdorur karburante fosile. Shqipëria renditet në nivelin më të lartë në këtë botë të re. Burimet ujore do të thotë se ne varemi nga reshjet e shiut, dhe kështu na duhet t’i drejtohemi importit, gjë që e bën situatën të vështirë.
Ajo që kemi bërë në dekadën e fundit është të investojmë shumë në energjinë diellore dhe të erës, duke krijuar një portofol burimesh të ekuilibruara në mënyrë të tillë që të mos kemi më nevojë të drejtohemi te importi dhe të jemi plotësisht sovranë, duke pasur 100% energji të gjelbër. Në fund të 2028 do të jemi plotësisht sovranë, pra, nuk do të blejmë më energji nga jashtë” u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




