Rama nga Asambleja e PS: Ulje e numrit të deputetëve dhe referendum për ndryshime. Në fokus godina e Kuvendit dhe statusi i deputetëve
Kryeministri Edi Rama, në vijim të fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, u ndal te riorganizimi i Kuvendit dhe reformat institucionale, duke deklaruar se qeveria synon uljen e numrit të deputetëve dhe avancimin e ligjit për referendumin. Ai theksoi nevojën për ndryshime në përbërjen e Kuvendit dhe njoftoi një nismë për uljen e numrit të deputetëve.
Rama shtoi se kjo çështje mund të vendoset përmes një procesi të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ligji i ri për referendumin mund të realizohet brenda këtij sesioni parlamentar.
“Në asamblenë e fillim mandatit kemi folur për disa reforma të rëndësishme për të cilat do flasim me njerëzit. Nga sot deri në fund të prillit, dhe pastaj deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit… S’ka shqiptarë që do thoshte na duhen më shumë deputetë, por s’ka shqiptarë që s’do thoshte na duhen më pak deputetë. Dhe ne do zbresim numrin e deputetëve. Besoj që për këtë ne jemi vonë, por prapë kemi kohë t’i thërrasim shqiptarët në referendum. Ne do çojmë para ligjin e munguar për referendumin. T’ua lëmë shqiptarëve të thonë kush është për kë dhe për çfarë. Ligji i ri është plotësisht i realizueshëm brenda këtij sesioni të legjislaturës”, u shpreh Rama.
Në vijim, ai ngriti nevojën për një ligj organik që rregullon funksionimin e Kuvendit, duke evidentuar mangësitë aktuale në organizimin institucional.
“Kuvendi nuk ka status të plotë për deputetët, ka burime të pamjaftueshme dhe nuk ka një shtëpi. Kemi thënë që duhet ta bëjmë Kuvendin me shtëpi”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, ndërtimi i një godine të re për Kuvendin duhet të nisë brenda këtij mandati.
“Mbase nuk është e mundur që shtëpia e re e Kuvendit të përfundojë brenda këtij mandati, por është e domosdoshme të fillojë pa kaluar gjysma e këtij mandati”, shtoi ai.
Kryeministri u ndal edhe te reforma administrativo-territoriale, duke theksuar se është koha për diskutim të gjerë me qytetarët.
“Kemi vënë para nesh detyrën për të bërë një reformë administrativo-territoriale. Ka ardhur koha të diskutohet, në radhë të parë me njerëzit në territor”, tha Edi Rama.
Në fund, ai u ndal dhe te reforma zgjedhore dhe nevoja për depolitizimin e administratës zgjedhore, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.
“Duhet të adresojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Duhet të bëjmë depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore. Është një nga pikat më të turpshme për një Shqipëri që bëhet gati të hyjë në BE”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




