Rama nga kioska e djegur në Tiranë: Është gërmadha e jetës së një familjeje. S’është dora e studentëve, por pengmarrje e qytetit me maska
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara nga protesta e djeshme në kryeqytet, duke u ndalur te një prej kioskave të djegura. Ai u shpreh se pas këtyre bizneseve të vogla qëndrojnë mundi dhe sakrifica e familjeve të zakonshme, ndërsa akuzoi opozitën se po e përdor protestën për qëllime politike.
Në një deklaratë nga vendngjarja, kreu i qeverisë tha se pas bizneseve të vogla qëndrojnë vite pune, djersë, ëndrra dhe shpresa të prindërve që përpiqen të sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre.
“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, djersës, ëndrrave e shpresës së një familjeje të zakonshme”, u shpreh Rama, duke iu drejtuar sipërmarrësve të vegjël që kanë pësuar dëme nga protestat.
Ai u shpreh se familjet e prekura nuk janë vetëm dhe premtoi mbështetje pas përfundimit të situatës së tensionuar. “Dua t’u them atyre që sot janë me lot në sy para gremadhave të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm. Sapo kjo flakë të kalojë, do të jemi aty të gjithë bashkë”, deklaroi kryeministri.
Rama solli në vëmendje edhe tërmetin e rëndë që goditi vendin, duke thënë se shqiptarët arritën të përballonin pasojat dhe të rindërtonin shtëpitë e dëmtuara përmes bashkëpunimit. Më tej, kreu i qeverisë kundërshtoi lidhjen e protestës me studentët, duke argumentuar se djegia e bizneseve dhe dëmtimi i pronës nuk përfaqësojnë shqetësimet e tyre për një jetë më të mirë. Ai e cilësoi situatën si një “pengmarrje të qytetit me maska” dhe akuzoi opozitën shqiptare se qëndron pas kësaj mënyre të protestimit, duke pretenduar se ajo është përfshirë në veprime që kanë dëmtuar vendin edhe më parë.
“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve kjo gremadhë? Kjo s’ka lidhje fare me studentët. Kjo flakë nuk është flakë studentore. Kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë me hallet dhe problemet e atyre që duan një jetë më të mirë. Kjo është ajo dorë që ka kapur prej fyti opozitën shqiptare dhe që ka djegur e shkatërruar jo një herë Shqipërinë, por është gati ta djegë e shkatërrojë që të mos ecë përpara, në një luftë të verbër, ku urrejtja më e verbër dhe flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje.
Këta nuk janë studentët. As ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen dhe revoltën studentore nuk kanë të bëjnë fare me ju, me problemet tuaja, me zgjidhjet për të cilat keni nevojë. Si mund të nxirren të miturit në rrugë? Si mund të nxiten të miturit të vënë maska, të shkulin trotuaret që mirëmbahen çdo ditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke i hedhur në rrugë si një lukuni e verbër për agjendën e tjetërkujt?
Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë që nga viti 1912 dhe e dimë shumë mirë e kujt është, sot mbështetet edhe nga duar të tjera, nga duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë pjesë të familjes së bashkuar europiane”, tha Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




