Rama: Nuk do të ketë më inspektime pa paralajmërim, inspektorët do të pajisen me kamera

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të ketë më kontrolle dhe inspektime rutinë pa paralajmërim ndaj bizneseve. Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Rama tha se mënyra e ushtrimit të kontrolleve duhet të ndryshojë dhe se inspektimi duhet të shërbejë për të ndihmuar bizneset, dhe jo për t’i kapur në gabim. Sipas kryeministrit, inspektori nuk duhet të paraqitet te dera e një biznesi “me një skenë krimi”, por si përfaqësues i shtetit që njofton, mbikëqyr dhe ndihmon subjektin të korrigjojë problematikat.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit me një skenë krimi, por si shteti që njofton që mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjosh. Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se gjoba duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para, duke paralajmëruar kundër rasteve kur gjobat përdoren si mjet presioni ndaj sipërmarrësve. “Gjoba mbi një biznes është arma e fundit dhe jo e para, dhe kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër për të shmangur gjobën, dhe kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë nuk po e mbron shtetin, por po e turpëron atë”, deklaroi ai.
Rama u bëri thirrje bizneseve që të denoncojnë çdo inspektim rutinë të kryer pa paralajmërim.
“Kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat, duhet ta denoncojë menjëherë te Inspektori i Përgjithshëm”, tha kryeministri.
Në vijim, Rama njoftoi edhe një tjetër ndryshim në mënyrën e kryerjes së inspektimeve. Sipas tij, së shpejti çdo inspektor që do të trokasë në emër të shtetit në derën e një tatimpaguesi do të jetë i pajisur me kamerë inteligjente trupore dhe uniformë.
“Që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe ai vetë ta dijë se është i mbikëqyrur nga Inspektori i Përgjithshëm”, u shpreh Rama. Kryeministri theksoi se shteti duhet të krijojë besim te qytetarët dhe sipërmarrësit për mënyrën se si ushtrohen kontrollet dhe mblidhen taksat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




