Rama publikon pamje nga protesta në Tiranë: Respekt për uniformën e Policisë së Shtetit

Mes tensioneve, përplasjeve dhe skenave të dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ndajë me qytetarët një moment ndryshe.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shfaq një efektiv të forcës “Shqiponja”, i cili takon familjarët e tij pas orëve të gjata në shërbim.
Në pamje, polici përqafohet nga një fëmijë dhe një grua, në një skenë plot emocion që përcjell sakrificën e uniformës blu dhe mbështetjen e familjes në momentet më të vështira.
“Respekt”, shkruan Rama krahas videos, duke zgjedhur vetëm një fjalë për të shoqëruar një moment që flet vetë.
Publikimi vjen në një moment kur kryeqyteti po përballet me protesta dhe tensione në disa zona të qytetit, ku janë regjistruar përplasje, dëmtime të pronës publike dhe private, si edhe incidente me forcat e rendit.
Në mesin e debatit politik dhe tensioneve në rrugë, videoja e publikuar nga Kryeministri sjell në vëmendje një anë më njerëzore të efektivëve të Policisë së Shtetit. Pas helmetës, uniformës dhe orëve të gjata në shërbim, qëndrojnë njerëz që lënë familjet e tyre për të kryer detyrën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




