Rama: Qeveria s’ka lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e rrjeteve sociale, turp që përhapin absurditete të tilla

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar përmes një deklarate në rrjetin social X, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës lidhur me mbylljen apo kufizimin e llogarive në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë i ka cilësuar këto pretendime si propagandë të ulët dhe absurditete, duke mohuar çdo përfshirje të autoriteteve shtetërore në këtë proces.
Në reagimin e tij, Rama ka ngritur dyshime se pas këtyre skenarëve qëndrojnë të njëjtat burime që nxitën të ashtuquajturin “Revolucion i Flamingos” dhe trazirat në Ceuta, me qëllim ringjalljen e asaj që ai e quan një aksion politik të dështuar.
“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërsa publikojnë një insinuatë vizuale aq të pacipë? Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe turpit të kundërshtarëve të mi për aq kohë sa kam qenë në politikë.
Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që parakalojnë si demokratë evropianë, është vërtet e mëshirshme. Dhe çfarë nëse e gjithë kjo skenë vjen nga të njëjtat burime keqdashëse që ushqyen të ashtuquajturin ‘Revolucion i Flamingos’, shumë prej të cilave ushqyen gjithashtu kaosin në Ceuta? Pse?
E thjeshtë: për t’i dhënë përsëri jetë një ‘revolucioni’ që tashmë është shfryrë. A nuk ka kuptim kjo? Natyrisht që ka. Por siç duket, jo për këta demokratë vetëm me emër”, shkruan Edi Rama.
Ai thekson më tej se qeveria nuk ka të bëjë me çaktivizimin apo kufizimin e asnjë llogarie në rrjetet sociale, ndërsa shton se “as nuk zotërojmë aftësinë teknike për të kryer një operacion të këtij lloji”.
“Prandaj, më lejoni të jem plotësisht i qartë: ne nuk kemi të bëjmë fare me çaktivizimin apo kufizimin e asnjë llogarie në rrjetet sociale, dhe as nuk zotërojmë aftësinë teknike për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp t’i vijnë gjithë këtij grupi dështakësh që përhapin absurdite të tilla”, shkruan më tej kryeministri Rama.
How can these agitators call themselves democrats while publishing such a shameless visual insinuation?
I have lived with the blame and shame games of my opponents for as long as I have been in politics. But when this low form of propaganda comes from people parading as European… pic.twitter.com/2sXqOLMx8v
— Edi Rama (@ediramaal) September 3, 2026
Gjithashtu, kryeministri shkruan se qeveria nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste apo akuze, ndërsa thekson se asnjë shtet nuk ka asnjë kapacitet që ta bëjë një gjë të tillë.
“Kurse kujtdo që flet shqip dhe shpërndan nëpër kanalet sociale dozën e helmit të radhës, kësaj radhe për këtë censurën e sofistikuar të profileve, i them se në qoftë e vërtetë kjo punë, jo vetëm regjimi im diktatorial që nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste dhe ka përballuar me buzëqeshje tërë lumenjtë e sharjeve me libër shtëpie poshtë dritares, s’ka asnjë lidhje në këtë mes, por për më tepër, as ky shtet dhe as shumica dërmuese e shteteve të këtij planeti, nuk kanë asnjë kapacitet që ta bëjnë një gjë të tillë.
Tani akuzat pa prova dhe sharjet pa hesap janë bërë bukë e djathë, po jo deri kaq larg fantazia them unë, pa ju e dini vetë se deri sa larg e çoni”, shkruan Rama.
Kurse kujtdo që flet shqip dhe shpërndan nëpër kanalet sociale dozën e helmit të radhës, kësaj radhe për këtë censurën e sofistikuar të profileve, i them se në qoftë e vërtetë kjo punë, jo vetëm regjimi im diktatorial që nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste dhe ka përballuar me…
— Edi Rama (@ediramaal) September 3, 2026
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




