Raporti parlamentar francez paralajmëron për rreziqet e TikTok. Propozohet që të ndalohen mediat sociale për personat nën 15 vjeç, si dhe penalitete për prindërit

Një raport i ri nga një komision parlamentar francez ka nxjerrë në pah rreziqet e lidhura me përdorimin e platformave të mediave sociale nga të miturit, duke rekomanduar masa drastike për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët. Sipas raportit, platforma e TikTok akuzohet se ekspozon qëllimisht të rinjtë ndaj “përmbajtjes toksike, të rrezikshme dhe problematike”.
Komisioni gjashtëmujor parlamentar ka propozuar që fëmijët francezë nën moshën 15 vjeç t’u ndalohet plotësisht përdorimi i mediave sociale. Për të rinjtë e moshës 15-18 vjeç, rekomandohet një “orë policore digjitale” gjatë natës, duke kufizuar përdorimin e aplikacioneve nga ora 22:00 deri në 08:00. Gjithashtu, propozohet ndalimi i telefonave celularë në shkolla.
Raporti sugjeron gjithashtu që, në vitet e ardhshme, të merret në konsideratë krijimi i një vepre penale për “neglizhencë digjitale” ndaj prindërve që nuk arrijnë të mbrojnë fëmijët e tyre nga rreziqet online.
Në përgjigje, TikTok ka refuzuar kategorikisht akuzat, duke theksuar se platforma ka implementuar më shumë se 70 veçori dhe cilësime të dizajnuara për të mbrojtur sigurinë dhe mirëqenien e adoleshentëve. Megjithatë, komisioni francez i ka cilësuar këto masa si të pamjaftueshme.
Këto rekomandime vijnë pas një nisme të ngjashme në Australi, ku mediat sociale do të ndalohen për fëmijët nën 16 vjeç, me gjoba të konsiderueshme për platformat që nuk respektojnë rregulloren.
Hetimi francez u nis pas akuzave nga disa familje, të cilat pretendojnë se TikTok ka ekspozuar fëmijët e tyre ndaj përmbajtjes që ka çuar drejt vetëvrasjes. Disa prindër kanë dëshmuar se fëmijët e tyre kanë parë video që mbështesin vetëvrasjen ose trajtojnë tema depresive, duke sugjeruar vdekjen si zgjidhje.
Franca nuk është e vetmja që po shqyrton kufizime të tilla; Danimarka dhe Spanja po shqyrtojnë gjithashtu masa për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po ndjek nga afër situatën dhe do të ngarkojë një grup ekspertësh për të raportuar mbi qasjen më të mirë për Evropën deri në fund të vitit 2025.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




