Raporti vjetor i RTSH/ Hoxhalli: Mbi 56% e të ardhurave vijnë nga tarifa televizive, detyrimet ndaj palëve të treta arritën në mbi 370 mln lekë
Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizioni Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, paraqiti një panoramë të situatës financiare dhe organizative të institucionit, duke evidentuar burimet kryesore të financimit, nivelin e detyrimeve financiare dhe sfidat që lidhen me investimet dhe strukturën organizative.
Në fjalën e tij, Hoxhalli theksoi se burimi kryesor i financimit të RTSH-së mbetet tarifa mbi aparatin marrës televiziv, e cila gjatë vitit 2025 siguroi më shumë se gjysmën e të ardhurave të institucionit.
“Burimi kryesor i financimit është tarifa mbi aparatin marrës televiziv, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave, ndërsa financimi nga buxheti i shtetit përbën shtyllën e dytë kryesore të mbështetjes financiare të RTSH-së”, u shpreh Hoxhalli.
Duke analizuar strukturën e shpenzimeve, kreu i Këshillit Drejtues tha se pesha më e madhe e fondeve është përqendruar tek pagesat e personelit dhe sigurimet shoqërore.
“S truktura e shpenzimeve zë peshë të lartë të fondit të pagave dhe sigurimeve shoqërore, i cili përfaqëson rreth 54% të totalit të shpenzimeve”, deklaroi ai.
Hoxhalli bëri të ditur gjithashtu se në fund të vitit 2025, RTSH kishte detyrime të konsiderueshme ndaj palëve të treta, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre lidhen me të drejtat sportive.
“Në fund të vitit 2025, detyrimet që RTSH ka ndaj palëve të treta arritën në 374 milionë lekë. Analiza e strukturës së borxhit tregon një përqindje të lartë në kategorinë e të drejtave sportive me kosto të konsiderueshme, të cilat ishin planifikuar të mbuloheshin nga projeksione të paqëndrueshme të rritjes së tarifës”, tha ai.
Sipas Hoxhallit, kjo situatë financiare ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale, duke kufizuar mundësitë për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të transmetuesit publik.
“Si pasojë e këtij ngarkimi financiar, investimet kapitale pësuan rënie të ndjeshme, duke u realizuar vetëm në masën 26% të planit të rishikuar, çka la të parealizuara nevoja urgjente për modernizimin teknologjik të institucionit”, theksoi ai.
Në vijim të raportimit, kreu i Këshillit Drejtues ndaloi edhe tek problematikat organizative të RTSH-së, duke vënë në dukje se struktura aktuale e institucionit ka nevojë për rishikim dhe reformim.
“Në aspektin organizativ, modeli i ndërtuar ndër vite ka shfaqur mbivendosje funksionesh dhe fragmentim të proceseve, duke krijuar vështirësi në eficiencën e menaxhimit dhe koordinimit të veprimtarisë së institucionit”, u shpreh Hoxhalli para anëtarëve të komisionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



