Raporti vjetor i RTSH për 2025, Hoxhalli: Të ardhurat 2.3 mld lekë, shpenzimet 2.5 mld lekë. Burimi kryesor i financimit, tarifa mbi pajisjet marrëse
Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, deklaroi se viti 2025 ishte një periudhë sfiduese për transmetuesin publik, me fokus stabilizimin e situatës dhe nisjen e procesit të transformimit të institucionit.
Gjatë raportimit të tij, Hoxhalli theksoi se RTSH ka operuar nën presion të lartë financiar dhe me një model financimi që paraqiste dobësi strukturore.
Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit 2025 të ardhurat e RTSH-së arritën në 2.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale u regjistruan në nivelin e 2.5 miliardë lekëve. Ai nënvizoi se kjo situatë ka ushtruar presion mbi kapacitetet financiare të institucionit dhe ka kufizuar mundësitë për financim të mëtejshëm.
Kreu i Këshillit Drejtues bëri të ditur gjithashtu se të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit vjetor, duke shënuar një mungesë prej 366 milionë lekësh krahasuar me objektivin buxhetor.
Sipas Hoxhallit, burimi kryesor i financimit për RTSH-në mbeti tarifa mbi pajisjet marrëse, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave gjatë vitit 2025.
Drejtuesit e RTSH-së e konsiderojnë vitin që lamë pas si një fazë të rëndësishme për konsolidimin financiar dhe vendosjen e bazave për transformimin e mëtejshëm të transmetuesit publik.
“Viti 2025 ishte për RTSH-në një vit sfidash, ku fokusi ynë ishte stabilizimi i gjendjes dhe fillimi i procesit të transformimit të institucionit.
Në aspektin financiar, RTSH ka operuar nën presion të lartë dhe me një model financimi që paraqiste dobësi. Gjatë vitit 2025, të ardhurat arritën në 2.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale arritën në 2.05 miliardë lekë. Kjo situatë ushtroi presion mbi kapacitetet financiare dhe kufizoi mundësitë për financim.
Të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit, me një mungesë prej 366 milionë lekësh kundrejt objektivit buxhetor. Burimi kryesor i financimit ishte tarifa mbi pajisjet marrëse, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave”, tha Hoxhalli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



