Raporti vjetor i RTSH, Vasili flet për raportin e EBU: Thekson nevojë për një model të ri funksionimi, sfidë mbetet numri i lartë i kanaleve

Aktualitet | 4 muaj më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, bëri të ditur se në bashkëpunim me EBU është realizuar një vlerësim i pavarur për gjendjen dhe perspektivën e transmetuesit publik shqiptar.

Sipas Vasilit, raporti evidentoi nevojën për një proces të strukturuar transformimi dhe formuloi një sërë strategjish për zhvillimin afatgjatë të RTSH-së.

Në kuadër të procesit të reformimit dhe modernizimit, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, ekspertët e EBU-së analizuan situatën e institucionit dhe identifikuan reformat prioritare që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme.

“Në bashkëpunim me EBU-në kërkuam një vlerësim të pavarur dhe ky vlerësim evidentoi nevojën për një proces të strukturuar transformimi, duke formuluar një sërë strategjish për ecurinë afatgjatë të RTSH-së. Relacioni ndodhet në dispozicion të RTSH-së dhe të të gjitha institucioneve përkatëse, si edhe është publikuar online në RTSH, ku kushdo mund të njihet me të.

Në kuadër të këtij reformimi dhe modernizimi, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, EBU analizoi dhe identifikoi reformat prioritare. Raporti vlerëson se RTSH vijon të mbetet institucioni kryesor mediatik publik në vend, me rëndësi të veçantë për komunikimin dhe informimin e publikut, por përballet me sfida strukturore, financiare dhe operacionale të akumuluara ndër vite”, tha Vasili.

Vasili tha se raporti vlerëson se RTSH vijon të mbetet institucioni kryesor mediatik publik në vend, me një rol të rëndësishëm në informimin dhe komunikimin me publikun. Megjithatë, sipas analizës së EBU-së, transmetuesi publik përballet me sfida të konsiderueshme strukturore, financiare dhe operacionale, të akumuluara ndër vite.

Sipas raportit, këto problematika lidhen me mungesën e investimeve afatgjata, fragmentimin e strukturave organizative, zgjerimin e pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimet e vazhdueshme financiare.

Drejtoresha Vasili tha se raporti i EBU vlerëson gjithashtu se modeli aktual i funksionimit nuk i përgjigjet më sfidave dhe ambicieve të medias publike moderne. Një ndër problemet kryesore të evidentuara është administrimi i një numri të lartë kanalesh televizive dhe radiofonike, të cilat tejkalojnë kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të RTSH-së.

“Këto sfida kanë ardhur si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata, fragmentimit të strukturave organizative, shfrytëzimit të pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimeve të vazhdueshme financiare.

Sipas EBU-së, sfida kryesore e RTSH-së lidhet me nevojën për të krijuar një model të ri funksionimi, i cili të harmonizojë strukturën organizative, burimet financiare, teknologjinë, audiencën dhe prioritetet editoriale.

Raporti thekson se modeli ekzistues nuk është më i përshtatshëm për sfidat dhe ambiciet e medias publike. Një nga sfidat kryesore është fakti se RTSH administron një numër të lartë kanalesh televizive dhe radiofonike, që tejkalojnë kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionit.”, tha Vasili.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme