Ratifikohet Konventa Evropiane, Gogu: Nuk është imunitet për avokatin, por garanci reale për qytetarin

Aktualitet | 47 minuta më parë

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar sot Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, duke shënuar miratimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme që i kushtohet ekskluzivisht garantimit të këtij profesioni.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, ky akt përkthehet në pesë detyrime thelbësore për shtetin shqiptar. Këto përfshijnë ushtrimin e lirë të profesionit pa frikë e pengesa, lirinë e shprehjes, garantimin e pavarësisë dhe vetëqeverisjes së dhomave të avokatisë, si dhe mbrojtjen nga kërcënimet përmes hetimeve serioze shtetërore në rastet e sulmeve për shkak të detyrës. Një element qendror mbetet ruajtja strikte e konfidencialitetit të komunikimit mes avokatit dhe klientit, si dhe sigurimi i aksesit të plotë në dosjet gjyqësore për një përfaqësim real.

Duke theksuar rëndësinë praktike të kësaj Konvente për publikun, Gogu solli në vëmendje nevojën parësore të qytetarëve për mbrojtje ligjore. “‘A ka avokat?’ Kjo është pyetja e parë e një familjeje kur njeriu i tyre gjendet në komisariat, në mes të natës”, u shpreh ministri, duke shtuar se ndonëse e drejta për mbrojtje ekziston në legjislacion, Konventa ofron garancitë e nevojshme që ajo të funksionojë pa asnjë pengesë në praktikë.

“Nuk është imunitet për avokatin, është garanci për qytetarin”, theksoi ai.

Nga pikëpamja procedurale dhe historike, akti u miratua fillimisht nga Komiteti i Ministrave të KiE në mars 2025 dhe u nënshkrua nga Shqipëria në Strasburg në qershor të vitit 2026. Pas këtij ratifikimi në Parlament, Ministria e Drejtësisë do të marrë përsipër njoftimin e të gjitha institucioneve mbi detyrimet e reja. Brenda një afati gjashtëmujor nga hyrja në fuqi, dikasteri i drejtësisë do t’i dorëzojë Komisionit të Ligjeve një analizë të thelluar mbi përputhshmërinë e standardeve të Konventës me ligjin aktual për avokatinë, Kodin e Procedurës Penale dhe aktet nënligjore, një proces që do të realizohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

Përfaqësuesit e qeverisë e shohin këtë votim si fillimin e një procesi transformues për sistemin e mbrojtjes ligjore në vend. “Ratifikimi nuk do të thotë se gjithçka funksionon siç duhet. Zbatimi i Konventës do të monitorohet nga ekspertë të Këshillit të Evropës, të pavarur, ndërkombëtarë”, deklaroi Gogu, duke bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë do të analizojë me detaje legjislacionin e brendshëm për të paraqitur përmirësimet e nevojshme. “Votimi u bë sot. Puna jonë nis tani”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme