Realizohet autotransplanti i palcës së kockave, Prof. Arben Ivanaj dhe ekipi i tij mundësojnë procedurën në QSUT
Për herë të parë në Shqipëri, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është kryer autotransplanti i palcës së kockave.
Ndërhyrja është realizuar nga mjeku i njohur Arben Ivanaj dhe ekipi i mjekëve të shërbimit të Hematologjisë.
Lajmin e ka shpërndarë vetë shefi i këtij shërbimi, Prof. Arben Ivanaj, i cili ka falënderuar publikisht pacienten, si dhe të gjithë kolegët që asistuan këtë ndërhyrje komplekse.
“Realizohet për herë të parë në Shqipëri autotransplanti i palcës së kockave (autologous stem cell transplant) në Shërbimin e Hematologjisë QSUT “Nënë Tereza” (ndonëse me vonesë në raport me vendet e tjera). Falënderimet e para shkojnë për të sëmurën dhe familjen e saj. Mirënjohje bashkëpunëtorëve, Dr. Anila Dukaj, Dr. Valentina Semanaj, Dr. Teuta Dedej,” shkruan mjeku i Ivanaj.
Autotransplanti i palcës së kockave është një procedurë në të cilën qelizat staminale të shëndetshme të një pacienti (qelizat formuese të gjakut) mblidhen nga gjaku ose palca e kockave para trajtimit me komioterapi, ruhen dhe më pas i jepen përsëri pas trajtimit.
Një transplant i qelizave staminale zëvendëson qelizat staminale të pacientit që u shkatërruan nga trajtimi me rrezatim ose me doza të larta të kimioterapisë. Ky lloj transplanti përdoret më shpesh për të trajtuar kanceret e gjakut, si leuçemia dhe limfoma.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




