Reforma, Mazniku: Bashkitë e vogla nuk arrinin dot të ofronin më shumë se gjysmën e funksioneve

Politikë | 45 minuta më parë

Arbjan Mazniku, deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, deklaroi të martën në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24 se një pjesë e madhe e bashkive, veçanërisht ato të vogla, nuk arrijnë të ofrojnë më shumë se gjysmën e shërbimeve që ligji u ngarkon.

Sipas tij, elementi territorial është parakusht për çdo diskutim të mëtejshëm mbi decentralizimin dhe rritjen e kompetencave.

“Një pjesë e madhe e diskutimit të mundësisë për të bërë një reformë administrative – që do të thotë për të thënë a mund të marrin bashkitë më shumë kompetenca – lidhet me mundësinë që bashkitë kanë për t’i absorbuar këto kompetenca,” tha Mazniku.

Ai solli si shembull Bashkinë e Libohovës, e cila mbledh vetëm 72 mijë euro në vit nga taksat dhe tarifat e veta.

“Neve mund të ndërrojmë ligjin gjithë ditën e gjithë natën për të thënë që do t’i japim më shumë kompetenca, nuk i bën dot se nuk ka dot as njerëz, as financa, as mundësi. Që do të thotë elementi territorial… Duke e bërë Libohovën bashkë me Gjirokastrën, brenda një bashkie më të madhe, atëherë ne mund të fillojmë të diskutojmë a mund t’i japim më shumë kompetenca.”

Moderatorja Alba Alishani vuri në dukje se reforma e mëparshme nuk u shoqërua me autonomi financiare dhe bashkitë mbetën të varura nga qendra. Mazniku u pajtua duke thënë se  “Ekzaktsisht, dhe elementi territorial është parakusht për të diskutuar më pas.”

Duke u përgjigjur pyetjes së panelistit Lorenc Vangjeli se cilat ishin nevojat konkrete që shtynë këtë reformë përtej premtimit elektoral, Mazniku shpjegoi: “Arsyeja pse ishte premtim elektoral është sepse ne kemi kuptuar që një pjesë e madhe e bashkive, veçanërisht bashkitë e vogla, nuk ia dalin dot të performojnë në mënyrë efektive për t’u ofruar shërbimet që ligji i cakton. Ligji shqiptar thotë që një bashki duhet të kryejë 42 funksione… Gjëja që ne kemi parë është që gjysma e bashkive – dhe këtu jemi, kemi kryesisht të bëjmë me bashkitë e vogla – nuk ia dalin dot të kryejnë më shumë se gjysmën e funksioneve që ligji i jep.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme