Reforma në sistemin financiar, kompensimi i qytetarëve brenda 14 ditëve, mbrojtje shtesë deri në 15 milionë lekë për rastet e veçanta

Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj të ri “Për sigurimin e depozitave”, i cili synon të transformojë rrënjësisht skemën aktuale mbrojtëse dhe ta përafrojë atë plotësisht me direktivat e Bashkimit Evropian (Direktiva 2014/49/BE, e ndryshuar). Dokumenti, i cili mban firmën e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, pritet të sjellë rritjen më të madhe historike të nivelit të mbulimit për depozitat në Shqipëri, si dhe rregulla të reja e më strikte për institucionet e kreditit.
Sipas relacionit shpjegues, kjo nismë ligjore vjen si përgjigje ndaj objektivave qeveritare për integrimin evropian brenda vitit 2027.
“Projektligji ‘Për sigurimin e depozitave’ konsiderohet një hap themelor për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përafrimin e plotë me legjislacionin e tij,” theksohet në dokument.
Rritja e nivelit të mbulimit dhe “balancat e përkohshme”
Një nga risitë kryesore të projektligjit është rritja e tavanit të kompensimit për depozituesit në rast të falimentimit apo krizës së një banke. Për bankat e nivelit të dytë, niveli i mbulimit propozohet të rritet nga 2.5 milionë lekë që është aktualisht, në 6 milionë lekë.
“Këto ndryshime përfaqësojnë rritjen më të madhe historike të nivelit të mbulimit për depozitat në banka në Shqipëri,” thekson relacioni i Ministrisë së Financave.
Ndërkaq, për Shoqëritë e Kursim-Kreditit (SHKK), mbulimi do të mbetet 2 milionë lekë deri në momentin e anëtarësimit në BE, kohë kur të dyja kategoritë do të barazohen në ekuivalentin e 100 mijë eurove.
Për herë të parë, skema prezanton një regjim të posaçëm mbrojtjeje për “depozitat me balancë të përkohshme”. Për ngjarje të veçanta financiare të ndodhura deri në 6 muaj para një krize—si transaksione të pasurive të paluajtshme, përfitime sociale (divorce, trashëgimi, pensione), përfitime sigurimesh apo dëmshpërblime gjyqësore—qytetarët do të përfitojnë një kompensim shtesë deri në 15 milionë lekë (ose 500 mijë euro pas hyrjes në BE), mbi nivelin standard të mbulimit.
Procedura më të shpejta, kompensim brenda 14 ditëve pa kërkesë
Projektligji shkurton ndjeshëm kohën e pritjes për qytetarët. Afati i kompensimit zbret në 14 ditë pune, dhe pritet të reduktohet në 7 ditë pas anëtarësimit në BE. Për të lehtësuar barrën burokratike, relacioni saktëson se “pagesa e kompensimit bëhet pa kërkesë nga depozituesi.”
Kjo do të thotë se procesi do të jetë automatik nga ana e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD). Një tjetër lehtësim i rëndësishëm në mbrojtje të konsumatorit është heqja e praktikës së netimit (zbritjes) së kësteve të kredisë me vonesë nga shuma që i takon depozituesit nga skema e sigurimit.
Prime të bazuara te rreziku për bankat dhe fondi i synuar
Për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës mbrojtëse, ligji i ri ndryshon mënyrën se si bankat derdhin kontributet e tyre. Aktualisht, subjektet paguajnë një prim me bazë të sheshtë. Ndërsa, sipas draftit të ri, duke filluar nga data 1 korrik 2027, kontributet do të llogariten duke u bazuar në profilin e rrezikut të çdo banke. Relacioni argumenton se ky mekanizëm funksionon “sipas parimit që bankat, të cilat ndërmarrin rrezik më të lartë të paguajnë më shumë, ndërsa bankat me rrezik të ulët të paguajnë më pak.”
Po ashtu, Këshilli Drejtues i Agjencisë do të përcaktojë një “nivel të synuar” të fondit, i cili nuk mund të jetë asnjëherë më i ulët se 0.8% e shumës totale të depozitave të siguruara në sistemin bankar.
Zgjerimi i kompetencave të Agjencisë
Përtej kompensimit klasik në rast likuidimi të detyruar, rolet e ASD-së zgjerohen. Skema do të aktivizohet automatikisht edhe në rastet kur Banka e Shqipërisë merr vendim për “padisponueshmërinë e depozitave” në një institucion krediti. Për më tepër, me synim shmangien e bllokimit të fondeve për qytetarët, ASD do të lejohet të “financojë transferimin e mjeteve financiare” (llogarive të klientëve) nga një bankë në krizë drejt një institucioni tjetër blerës të shëndetshëm.
Ky projektligj, i cili përfshin gjithashtu në skemë depozitat e organizatave jofitimprurëse dhe administratës vendore (që më parë ishin të përjashtuara), vlerësohet si përmbushje e njërit prej piketave mbyllëse për Kapitullin 9 të negociatave (Shërbimet Financiare) duke forcuar ndjeshëm sigurinë e tregut financiar në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




