Reforma Territoriale bashkon Korçën me Maliqin, Peleshi: Një bashki e re me potencial të madh bujqësor

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka komentuar nga Korça ndryshimet që sjell Reforma Territoriale e miratuar në Kuvend, duke vënë theksin te bashkimi i bashkive Korçë dhe Maliq në një njësi të vetme vendore.
Sipas Peleshit, ndarja e re do ta bëjë Korçën bashkinë më të madhe në vend për nga sipërfaqja, me 1,462 kilometra katrorë, duke lënë pas Elbasanin me një diferencë prej rreth 200 kilometrash katrorë.
“Siç e dini, Korça dhe Maliqi bashkohen në një bashki të madhe të vetme dhe kanë një sipërfaqe 1,462 km², jo vetëm më të madhen, por të shkëputur me 200 km² më shumë nga bashkia pasuese, që është Elbasani”, deklaroi Peleshi.
Ai sqaroi se sipërfaqja e madhe e bashkisë së re nuk lidhet me numrin e popullsisë, i cili sipas tij do të jetë rreth 100 mijë banorë, por me shtrirjen e gjerë gjeografike dhe përfshirjen e fushës së Korçës dhe asaj të Maliqit.
Peleshi u ndal veçanërisht te ndikimi që bashkimi mund të ketë në sektorin e bujqësisë, duke argumentuar se administrimi i përbashkët do të përfshijë pothuajse të gjithë fushën e Maliqit, të cilën e cilësoi si fushën e dytë më të madhe në Shqipëri.
“Unë jam i bindur që është një gjë shumë e mirë. Në fushën e bujqësisë bashkohen në një dhe kanë nën administrim, në kuptimin gjeografik, pothuajse të gjithë fushën e madhe të Maliqit”, u shpreh kreu i Kuvendit. Në deklaratën e tij, Peleshi iu referua edhe skepticizmit që një pjesë e qytetarëve mund të kenë ndaj reformës, duke shprehur bindjen se bashkimi i dy bashkive do të sjellë përfitime në administrimin e territorit dhe të potencialit bujqësor të zonës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




