Reforma Territoriale – Gonzato takohet me Maznikun dhe Boçin: Duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvend, Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi.
Gonzato theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, të ndërtuar mbi të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë.
Ai nënvizoi se shpejtësia e reformave nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe rritja e efikasitetit nuk mund të vijë në kurriz të demokracisë vendore.
“Është e rëndësishme që funksionet të shoqërohen me financim të mjaftueshëm, në mënyrë që autoritetet vendore të kenë autonomi reale në vendimmarrje, të mbështetur nga kapacitetet e nevojshme. Reforma duhet të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane,” – u shpreh ambasadori Gonzato.
Në një reagim në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri e cilësoi takimin si konstruktiv, duke shtuar se, “Takim konstruktiv sot me bashkëkryetarët Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, të ndërtuar mbi të dhëna të sakta dhe konsensus të gjerë. Shpejtësia e reformave nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe rritja e efikasitetit nuk mund të vijë në kurriz të demokracisë vendore.”
Delegacioni shtoi se mbetet thelbësore që reforma të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke garantuar një proces të hapur dhe të bazuar në konsensus.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



