Reforma zgjedhore, Gonzato takim me Gjiknurin dhe Bylykbashin: Proceset zgjedhore të besueshme, prioritet kyç për anëtarësimin në BE

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sivio Gonzato, kja zhvilluar një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, për të diskutuar punën e komisionit në javët e ardhshme. Përmes një postimi në rrjete sociale, Gonzato thekson se proceset zgjedhore të besueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare mbeten një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim”, shkruan ambasadori Gonzato.
Ai theksoi pikat kryesore që sipas BE-së duhet të adresohen në kuadër të reformës: Rritja e transparencës në financimin e partive politike; Garancia e pavarësisë së administratës zgjedhore; Parandalimi i keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.
“Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”, theksoi Gonzato.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




