Reshjet intensive, Gonxhja: Monitorim i pandërprerë i pasurive kulturore në të gjithë territorin, më problematike situata në Lezhë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Në vijim të situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut në të gjithë vendin, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bën me dije se strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore po vijojnë monitorimin e pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore.

Sipas ministrit Blendi Gonxhja situata paraqitet më e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit.

Si pasojë, uji ka ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.

“Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.

Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime”, shkruan Gonxhja.

Nga monitorimi i deritanishëm i pasurive të tjera kulturore në territor, ministri Gonxhja tha se pavarësisht rritjes së prurjeve të lumenjve dhe përrenjve, nuk janë konstatuar përkeqësime apo dëmtime.

 “Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim. Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm”, shkruan ministri.

Ministria thekson se monitorimi në terren vijon në mënyrë të pandërprerë, me qëllim reagimin në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm dhe garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme