Reshjet intensive, ministri Vengu mbledh Komitetin e Emergjencave: Koordinim për sigurinë e qytetarëve

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu mblodhi sot, në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në vend.
Gjatë takimit u bë një analizë e detajuar e situatës në terren, me fokus zonat më të prekura nga përmbytjet, rrëshqitjet e dherave dhe problematikat në infrastrukturë. Strukturat përgjegjëse raportuan mbi masat e marra deri tani, ndërhyrjet emergjente dhe nevojat për mbështetje shtesë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kërkoi gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve, koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe vendore si dhe monitorim të pandërprerë të situatës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.
Gjatë 24 orëve të fundit, pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat në disa qarqe kanë shkaktuar problematika, pa pasoja serioze për jetën e qytetarëve.
Situata po monitorohet me prioritet në qarqet Lezhë dhe Durrës, ku janë evidentuar prani uji në disa akse rrugore, rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve.
Sipas IGJEO-s, reshjet intensive pritet të vijojnë deri më 8 janar.
Strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë në gatishmëri të plotë.
Qytetarët ftohen të shmangin zonat me risk dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në rast nevoje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









