Reshjet intensive përmbytin rrugët në Vlorë, probleme në lagjen “Pavarësia”, banorët ankohen për pusetat e bllokuara

Aktualitet | 28 minuta më parë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin e Vlorës gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa zona, duke sjellë prezencë të konsiderueshme uji në rrugë dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Situata më problematike paraqitet në lagjen “Pavarësia”, ku sasia e madhe e ujit e grumbulluar në rrugë ka krijuar shqetësim për banorët. Në disa segmente, lëvizja është vështirësuar ndjeshëm, ndërsa ujërat kanë mbuluar pjesë të akseve rrugore.

Banorët e zonës ankohen se shkak i përsëritjes së këtij fenomeni janë pusetat e bllokuara, të cilat sipas tyre janë mbushur me gurë dhe materiale të tjera inerte. Për pasojë, ujërat e shiut nuk arrijnë të largohen me shpejtësi, duke qëndruar për orë të tëra në rrugë dhe pranë banesave.

Ata shprehen të shqetësuar se një përkeqësim i motit apo reshje më të zgjatura mund ta rëndojnë edhe më tej situatën, duke rrezikuar izolimin e banesave dhe krijimin e vështirësive për aktivitetet e përditshme.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e pusetave, kanaleve kulluese dhe përmirësimin e sistemit të drenazhimit, në mënyrë që reshjet intensive të mos kthehen sa herë në një problem për komunitetin.

Ndërkohë, qytetarët apelojnë për masa parandaluese, duke theksuar se fenomeni përsëritet pothuajse pas çdo shiu me intensitet të lartë, veçanërisht në lagjen “Pavarësia” dhe zona të tjera problematike të qytetit.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme