Restaurohen manastiret e Gjirokastrës, synohet ruajta e vlerave të trashëgimisë kulturore në qark

Kulturë | 40 minuta më parë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka nisur ndërhyrjet restauruese në tre manastire të qarkut. Punimet kanë nisur në Manastirin e Dervicianit dhe në Manastirin e Dhuvjanit, monument kulture i kategorisë së parë, ku krahas restaurimit po punohet edhe për ngritjen e trapezarisë, për të vijuar më pas edhe në Manastirin e Mingulit.

“Në vijim të planit të investimeve dhe programit të parashikuar nga qeveria shqiptare dhe nga donatorët, ka filluar ndërhyrja në manastirin e Derviçanit është duke përfunduar ndërhyrja në manastirin e Duvjanit monument kulture i kategorisë së parë ku në bashkëpunim me World Monument Found është kryer dhe një investim për ngritjen e tapezarisë. Gjithashtu po vazhdon restaurimi i Teqesë së Koshtanit. Jemi në fazën finale të kësaj ndërhyrje si dhe po përgatitet fillimi i ndërhyrjes në manastirin e Mingul në bashkëpunim me Organizatën Trashëgimi Kulturore pa Kufij”, tha Ardis Duka, drejtor i drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore.

Në këto objekte, ndërhyrjet synojnë ruajtjen dhe konsolidimin e strukturave, si dhe mbrojtjen e vlerave dhe identitetit të tyre kulturor e historik.

“Ndërhyrje po kryhet në manastirin e Derviçanit, po kryhet ngritja e konakëve në faqen veriore të tyre. Ndërkohë Manastiri i Mingulit, po ashtu një objekt shumë i rëndësishëm i kategorisë së parë në zonën e Lunxhërisë në bashkinë Gjirokastër. Po përgatitet fillimi i restaurimit total të këtij objekti duke përfshirë të gjitha ndërhyrjet, konservimin dhe restaurimin e fasadave, çatisë edhe elementët e tjerë përbërës të këtij objekti”, shtoi Duka.

Ndërhyrjet restauruese synojnë të garantojnë ruajtjen e këtyre monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke i mbrojtur nga degradimi dhe duke siguruar vijimësinë e tyre për brezat e ardhshëm.

Gazetare: E. Domeri    

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme