Rezultatet e PISA 2025, Rama: Një dëftesë e jashtëzakonshme, Shqipëria në krye të rajonit në arsimin parauniversitar

Aktualitet | 2 muaj më parë

Shqipëria ka shënuar përmirësim të ndjeshëm në rezultatet e testit PISA 2025, duke u renditur në krye të rajonit në arsimin parauniversitar. Kryeministri Edi Rama e cilësoi rezultatin një “dëftesë të jashtëzakonshme” për sistemin arsimor dhe nxënësit shqiptarë.

Sipas rezultateve të PISA 2025, nxënësit shqiptarë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në të tre fushat e testuara. Në matematikë, rezultati është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë, ndërsa në lexim me 50 pikë.

Kryeministri Edi Rama tha se ky rezultat vjen pas një pune të fokusuar për përmirësimin e performancës së nxënësve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në testimet e mëparshme.

“Dje kemi marrë një rezultat, një dëftesë për të cilën kemi punuar shumë fort dhe jo një e dy ditë, por për një vit të tërë për të adresuar realisht aty ku duhej të gjitha pikat e nevojshme. Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme sepse është një dëftesë që i takon atyre që janë drita e syve të prindërve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë, si asnjëherë, më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim. Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çorodie që shkaktoi Covid dhe të gjitha vendet në fakt ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme që na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshëm rritje të butë, por konstante. Sot jemi të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë”, tha Rama.

Rama nënvizoi gjithashtu punën e bërë me drejtuesit e shkollave, duke e lidhur përmirësimin e rezultateve me përpjekjet e strukturave arsimore.

“Kemi bërë një punë kolosale me drejtuesit e shkollave. I bën një nder shumë të madh edhe vendit sepse krijon një lehtësi psikologjikë edhe për prindrit, prindërit e mbytur nga balta e ca lloj vemjeve në kanalet sociale që nuk lënë orë dhe minutë pa nxjerrë helm për çdo gjë në këtë vend dhe që natyrisht ngarkojnë të gjithë popullatën. Është një rezultat fantastik dhe inkurajues, që flet për punën që kemi bërë në Ministrinë e Arsimit dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë. Nuk kemi bërë  vetëm një kapërcim pikësh, por kemi lënë pas edhe disa vende që sot janë në BE”, u shpreh kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme