Rikonstruktohet Spitali i Lezhës, ministrja Sala: Spitalet rajonale drejt shërbimeve terciare dhe autonomisë së plotë

Spitali Rajonal i Lezhës është gati për të ofruar shërbime të plota dhe moderne për banorët e qarkut, pas përfundimit të rikonstruksionit të godinës qendrore. Rikonstruktimi i spitalit ishte një investim i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë inspektimit të ambienteve të këtij spitali, theksoi rëndësinë e infrastukturës së duhur shëndetësore dhe ofrimin e shërbimeve cilësore në strukturat spitalore rajonale.
“Investime të tilla në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë mundësojnë shërbime më të mira për qytetarët, forcojnë autonominë spitalore dhe përgatisin spitalin për të ofruar shërbime në nivel terciar, duke i kthyer në qendra referimi për rajonin”, theksoi ministrja.
Rikonstruksionin i godinës qendrore të Spitalit Rajonal Lezhë përfshin disa risi të rëndësishme në infrastrukturë si zgjerimi i hapësirave në funksion të shërbimit të Urgjencës, shtimi i një kati të dedikuar për shërbimin infektiv, ndërtimi i një ure lidhëse mes godinës trekatëshe të spitalit dhe maternitetit të ri, ndërtimi i një strukture të re me ashensor për pacientët, si dhe implementimin e pajisjeve mjekësore të teknologjisë së fjalës së fundit.
Spitali Rajonal i Lezhës, me një kapacitet prej 162 shtretërish dhe 324 staf spitalor në gatishmëri, përbën pikën kryesore të referimit shëndetësor në këtë rajon, duke ofruar shërbime të specializuara klinike, diagnostikuese dhe kirurgjikale për komunitetin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




