Rikthehet energjia në Tiranë, OST riparon shtyllën në kohë rekord, nuk raportohen zona me probleme si pasojë e avarisë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Situata e furnizimit me energji elektrike në zonat lindore dhe juglindore të kryeqytetit është normalizuar plotësisht pas një avarie që zgjati rreth dy orë mbrëmjen e sotme.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) bëri me dije se defekti u regjistrua rreth orës 20:30, në linjën e tensionit të lartë 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori”.

Sipas njoftimit për shtyp, brigadat e OST-së, të cilat u angazhuan menjëherë në terren, arritën të identifikonin burimin e problemit në shtyllën 48/4, ku ishte shkaktuar një hark i hapur.

“Puna për riparimin e tij nisi në mënyrë të rrufe rrufe, ndërkohë që paralelisht u morën masa për furnizimin alternativ të institucioneve kritike.”, thuhet në njoftim.

Për të mos lënë në errësirë totale zonat e prekura, OST në bashkëpunim me OSHEE-në aktivizuan linjën rezervë 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.

Ky manovrim lejoi që nënstacioni i Traktorës dhe konsumatorët e rëndësishëm të furnizoheshin me energji, ndonëse me ngarkesë të kufizuar.

Përmes skemave unazë të Operatorit të Shpërndarjes, u arrit që institucionet e rëndësisë së veçantë (përfshirë QSUT) të furnizoheshin brenda pak minutash. Zonat e banuara të rinisnin marrjen e energjisë gradualisht brenda 30 minutave të para.

Rikthimi i plotë në orën 22:09

Pas punës intensive të brigadave të linjave, riparimi i defektit në shtyllën 48/4 përfundoi zyrtarisht në orën 22:09.

”Në këtë moment, linja kryesore u rikthye në punë, duke garantuar furnizim të plotë dhe të qëndrueshëm për zonat e Ali Demit, Freskut, Rrugës së Elbasanit dhe zonës së Teleferikut.“, njofton OST.

Aktualisht, sistemi funksionon normalisht dhe nuk raportohen më zona me shkëputje të energjisë si pasojë e kësaj avarie.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme