Rikualifikohet qendra e kimioterapisë në Vlorë, Sala: Onkologjia në qendër të reformave

Shëndet | 2 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, e shoqëruar nga drejtori i Institutit Kombëtar të Tumoreve, Helidon Nina, vizitoi qendrën ditore të kimioterapisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, e cila është rikualifikuar në kuadër të investimeve për transformimin e shërbimit onkologjik në vend.

Qendra e rikualifikuar në Vlorë është një nga tre investimet e para të përfunduara, së bashku me strukturat përkatëse në QSUT dhe Korçë.

Ajo theksoi se onkologjia do të jetë një nga prioritetet kryesore të mandatit të saj, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të rrjetit onkologjik dhe të shërbimeve pranë pacientëve.

“Jemi në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku sapo është rikualifikuar qendra e kimioterapisë ditore. Me të njëjtat kushte si ajo e QSUT. Më pak se një ditë më parë mora angazhimin që onkologjia do të jetë në qendër të vëmendjes, një nga reformat kryesore të miat si ministre e Shëndetësisë por edhe si mjeke me një karrierë të gjatë në fushën e onkologjisë. Bëmë realitet atë që premtuam. Ngritëm Institutin Kombëtar të tumoreve por  gjithashtu përforcojmë edhe rrjetin onkologjik”, u shpreh Ministrja Sala.

Ministrja bëri të ditur se pas Vlorës pritet të përfundojnë edhe dy qendra të tjera brenda këtij viti, ndërsa objektivi është që procesi i zgjerimit dhe rikualifikimit të shërbimeve onkologjike të përmbyllet brenda vitit 2027.

Në fokus të deklaratës së ministres ishte edhe komunikimi mes mjekëve dhe pacientëve. Ajo kërkoi që profesionistët e shëndetësisë të tregojnë kujdes të veçantë në informimin e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

“Qendra në Vlorë është qendra e 3 e rikualifikuar, në vazhdimësi do të ketë dhe dy qendra të tjera brenda vitit për të vazhduar me pjesën tjetër dhe për ta përfunduar brenda vitit 2027. Ritheksoj rëndësinë e komunikimit me pacientet. Ne, si mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë, nuk duhet të lëmë asnjë pyetje pa përgjigje. Duhet të kemi durimin t’u shpjegojmë pacientëve të gjithë informacionin që u nevojitet”, tha ministrja.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme