Rinumërimi i votave drejt fundit në Kosovë. Hetime për manipulim në Prizren, Malishevë dhe komuna të tjera

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet e zgjeruara lidhur me dyshimet për manipulim votash gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas njoftimit, aktualisht po merret në pyetje grupi i dytë i të dyshuarve pas procesit të rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren.
Të dyshuarit po hetohen për vepra penale si shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar dhe shkelja e detyrës zyrtare. Javën e kaluar, në Prizren u intervistuan 109 persona, ndërsa ndaj 23 prej tyre u shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim edhe për 15 kryetarë të komisioneve zgjedhore, të ndaluar gjatë një aksioni në komunën e Malishevës. Ata dyshohen se kanë manipuluar mbi 17 mijë vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas autoriteteve, gjatë rinumërimit të plotë të votave janë zbuluar parregullsi edhe në komuna të tjera, përfshirë Ferizajn dhe Drenasin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tani janë rinumëruar 88 për qind e vendvotimeve, ndërsa në 34 komuna procesi i rinumërimit ka përfunduar plotësisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




