Rrëfime që shpëtojnë jetë – Apeli i grave që kanë kaluar kancerin e gjirit: Bëni kontrolle, mos e lini jetën në dorë të fatit

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, rrëfimet e grave dhe vajzave që i kanë mbijetuar kancerit të gjirit, të cilat kanë kaluar dhimbjen dhe traumën emocionale që ajo sjell me vete, janë edhe apelet më të forta që mund t’u bëhet grave për të bërë kontrolle periodike dhe për të parandaluar dhe kapur në kohë këtë sëmundje të pabesë.
“Tetori Rozë” është muaji i ndërgjegjësimit se një kontroll i thjeshtë, një vizitë e bërë në kohë, mund të shpëtojë jetë. Ky është gjithashtu edhe muaji i rrëfimeve të dhimbjes, guximit, por edhe i triumfimit mbi sëmundjen.
Në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, dy histori prekëse dëshmuan se kapja në faza të hershme të kancerit të gjirit mund të shpëtojë jetë.
Një paciente e Onkologjikut tregoi se si e zbuloi sëmundjen rastësisht dhe se shpesh i kishte shmangur dhe neglizhuar kontrollet, me mendimin se kjo sëmundje nuk do ta prekte atë.
“Konstatova një masë si kokërr ulliri dhe vajta te mjeku, ku bëra mamografinë në spitalin në Sarandë. Tani po bëj kimioterapinë, nuk kisha bërë më para kontrolle. U preka emocionalit vetë kur konstatova masën, dhe familja gjithashtu. Të bëjnë kontrolle sa më shumë, edhe në Sarandë vinin kontrolle por ne e nënvlerësonim”, u shpreh pacientja në Onkologjik.
Poetja shkodrane, Ajola Zadrima, e cila ka fituar betejën me kancerin, rrëfeu se sëmundja ishte një kthesë e madhe në jetën e saj dhe u bën thirrje grave dhe vajzave që të mos shmangin kontrollet.
“Çdo gjë që prek tumori nuk janë thjeshtë histori suksesi, por një jetë e rifilluar për së pari, pesha e kalimit të një sëmundje të tillë të mbetet mbi supe. Para 7 vitesh, rikuperimi ka zgjatur mbi 5 vit dhe kjo nuk mbaron këtu pro duhet kujdes i vazhdueshëm, kontrolle të vazhdueshme, asnjëherë kur përballesh me një të vërtetë nuk është e lehtë e zbulova nga ekot që bëra. Kur mendon se me ndërhyrjen kirurgjikale ka përfunduar procesi, në fakt është vetëm fillimi pasi fillojnë trajtimet, ilaçet. Masa nuk ishte e prekshme me dorë. Ka qenë një periudhë e gjatë që unë e mbajta vetëm për vetë, ishte një sfidë shumë e madhe për t’ia thënë fëmijëve apo prindërve një gjë të tillë, që përjetojnë një dhimbje dyfish. Fillimi ka qenë tepër i rëndë ndërsa sot u jap unë kurajo njerëzve. Të gjithë gratë dhe vajzat tetori nuk ka ngjyrë është për të tërë ju lutem bëni kontrollet, eko, edhe sikur të mos kenë problem të mos e neglizhojnë në asnjë mënyrë, por shpëtoni jetën tuaj, nuk mund ta lëmë jetën në dorë të fatit” , u shpreh poetja.
Nga studio, mjekja Barie Karasani tha se rastet e kancerit të gjirit janë rritur si të gratë dhe meshkujt, dhe se parandalimi dhe kontrollet janë elementi kryesor për të rritur shanset e mbijetesës.
“Ne shpëtojmë jetë çdo ditë, jo vetëm në tetor. Rastet e kancerit të gjirit janë shtuar, jo vetëm te gratë e vajzat, por edhe tek meshkujt, sidomos pas moshës 60 vjeç. Moshat më të prekura janë 50-60 vjeç, por kemi edhe shumë raste tek 30-40 vjeç. Çdo grua dhe vajzë, që nga mosha 12 vjeç, duhet të mësojë të kontrollojë vetë gjoksin. Ndërgjegjësimi po rritet tek të rejat, por në rrethe ende mungon sensibilizimi i duhur”, tha mjekja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




