Rreth 100 raste të reja në vit me kancer të qafës së mitrës, QSUT: Vijnë shumë vonë për trajtim

Shëndet | 8 muaj më parë

Marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme dhe frekuentimi i shumë partnerëve janë faktorët kryesorë të rrezikut për t’u prekur nga kanceri i qafës së mitrës, një sëmundje që shkaktohet nga infeksioni me virusin Human Papilloma (HPV).

Sipas të dhënave zyrtare, kjo sëmundje është kanceri gjinekologjik më i shpeshtë dhe çdo vit prek rreth 100 gra dhe vajza.

“Sjelljet që ndihmojnë në përhapjen e këtij lloj infeksioni janë: fillimi i aktivitetit seksual në moshë të re, pasja e shumë partnerëve seksualë, lindja në moshë të re, përdorimi i kontraceptivëve dhe përdorimi i duhanit.Por faktorët e parë të rrezikut janë mosha e hershme e marrëdhënieve dhe multipartneriti seksual”, tha Mjeku onkolog-gjinekolog Euglend Beci.

Mjeku onkolog-gjinekolog Euglend Beci thotë për RTSH se, për fat të keq, rastet paraqiten në stade shumë të avancuara, duke mos lënë më hapësirë për ndërhyrje.

“Pjesa më e madhe, për fat të keq, vijnë në stade të avancuara, që janë raste të cilat nuk mund të intervenohen. Dëshira jonë do të ishte që pacientët të paraqiteshin në stade fillestare, ku trajtimi kirurgjikal do të ishte opsioni i parë dhe i vetëm i trajtimit, por edhe në rastet më të avancuara, të mund të kryhej kirurgji dhe rrezatim. Në Shqipëri, për fat të keq, numri i pacientëve në stade të avancuara përbën edhe numrin më të lartë të rasteve që vijnë në Spitalin Onkologjik në QSUT”, – tha mjeku.

Të gjithë pacientët që trajtohen me këtë diagnozë kanë nevojë për radioterapi dhe një pjesë e konsiderueshme e atyre që kryejnë kirurgji kanë nevojë për brakiterapi pas rrezatimit me akselerator, por fatkeqësisht zinxhiri i trajtimit në spital këputet pikërisht këtu.

“Për fat të keq, deri para një viti trajtimi mbyllej në spital, por tani që brakiterapia është jashtë funksionit, nuk realizohet i gjithë zinxhiri i trajtimit. Kanceri i qafës së mitrës trajtohet me kirurgji, rrezatim dhe kimioterapi. Edhe në stade të avancuara, radioterapia është një nga themelet e trajtimit të këtij kanceri dhe brakiterapia është një nga elementët kryesorë të këtij trajtimi”, – nënvizon Beci.

Dr. Beci orienton gratë dhe vajzat për depistim të hershëm të HPV-së, pasi kapja e hershme rrit ndjeshëm shanset për mbijetesë.

“Nëse sëmundja kapet në stadin e parë, kjo do të thotë që 95% e pacienteve kanë mbijetesë 5-vjeçare pa sëmundje dhe më pas konsiderohen të shëruara. Në stadin e dytë, shanset ulen në 85% të rasteve, ndërsa në stadin e tretë në rreth 60% të pacienteve“, tha mjeku.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme