Rriten kërkesat për mamografi. 779 vetëm në një javë, ekzaminimi është pa planifikim
Tetori rozë rrit me disa herë numrin e kontrolleve të gjirit tek gratë dhe vajzat. Në një vëzhgim të bërë në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 të Tiranës, si qendra me numrin më të lartë të mamografive dhe ekove të gjirit, çdo ditë po ekzaminohen rreth 50 gra.
“Ekzaminimet në këtë muaj janë shumë më të larta në raport me muajt e tjerë. Fluksi ka qenë në rritje nga dita në ditë”, u shpreh Guljem Paloka, radiologu i Poliklinikës.
Drejtuesja e poliklinikës një thirrje e ka edhe për gratë në zonat e periferike të Tiranës, të cilat duken më pak të interesuara për kontrolle.
“Të mos presin të shikojnë shenja. Duhet patjetër të vijnë pranë nesh dhe ta kryejnë këtë ekzaminim. Pak minuta ju duhet zonjave për ta kryer këtë ekzaminim”, tha drejtoresha Lidra Zikaj.
Nga ekzaminimet ka shumë raste që shkojnë më tej për biopsi dhe ndjekje dinamike tek mjeku senolog-onkolog. Numri në raport me vitet e tjera është rritur ndjeshëm. 3–4% e diagnostikimeve këtu dalin të vërtetuara.
“Numri i rasteve që janë dyshuese për kancer gjiri është rritur në raport me më parë. Vetëm për tetorin kemi konstatuar dy-tre raste me këtë problematikë”, tha imazheristi.
Në të gjithë vendin, sipas Institutit të Shëndetit Publik, deri më tani janë kryer 779 mamografi falas të shpërndara në 16 poliklinika e spitale, dhe dy njësi lëvizëse.
Procesin e pa nga afër edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cila u ndal në sheshin “Nënë Tereza”, ku është stacionuar një prej njësive të mamografive lëvizëse për kontrolle.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




