Rritet bilanci i viktimave dhe të zhdukurve nga përmbytjet në Nepal dhe Tibet, alarm për një valë të re përmbytjesh

Të paktën 469 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, më shumë se 48 orë pasi përmbytjet e fuqishme dhe rrëshqitjet e dheut goditën rëndë zonën kufitare të Himalajeve.
Në anën tibetiane të kufirit, tre persona kanë vdekur dhe më shumë se 550 të tjerë, mes tyre rreth 260 shtetas të huaj, përfshirë pelegrinë që udhëtonin drejt malit të shenjtë Kailash, janë raportuar të zhdukur. Nuk është ende e qartë nëse shifrat e viktimave dhe të zhdukurve në të dyja anët e kufirit përputhen plotësisht.
Zyra e kryeministrit të Nepalit bëri të ditur se 350 persona janë shpëtuar nga një tunel pranë lumit Trishuli, ndërsa ushtria po vijon operacionet për nxjerrjen e rreth 100 personave të tjerë që ndodhen ende brenda.
Në orët e para të mëngjesit, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për qindra persona që ende konsiderohen të zhdukur. Ekipet e shpëtimit janë në gatishmëri të lartë për shkak të paralajmërimeve se një valë e dytë përmbytjesh mund të godasë zonën e prekur.
Ndërkohë autoritetet kineze kanë pezulluar përkohësisht operacionet e shpëtimit në Tibet, për shkak të frikës se një liqen i sapoformuar, i krijuar nga grumbullimi i ujit pas rrëshqitjeve të dheut, mund të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje të reja. Autoritetet po monitorojnë rritjen e nivelit të ujit në rrjedhën e sipërme të portit Gyirong, pikëkalimi kufitar mes Kinës dhe Nepalit, i cili u përfshi nga një masë balte dhe uji gjatë rrëshqitjeve të dheut. Sipas mediave shtetërore kineze, ekipeve të shpëtimit u është kërkuar të ndërpresin operacionet për momentin, ndërsa autoritetet vlerësojnë rrezikun.
Zyrtarët lokalë kanë deklaruar se një akullnajë e shembur shkaktoi valën e madhe të përmbytjeve, e cila shkatërroi shtëpi, rrugë dhe infrastrukturë jetike, përfshirë një pikëkalim të rëndësishëm kufitar mes Nepalit dhe Tibetit. Situata mbetet veçanërisht shqetësuese në qarkun Gyirong, ku parashikohen reshje gjatë tre ditëve të ardhshme. Autoritetet kanë paralajmëruar për rrëshqitje të reja dhe përmbytje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




